26 vjet pa Prof. Fehmi Aganin – Abdixhiku përkujton veprimtarin e shquar të lirisë

by engel

Prishtinë, 6 maj 2025 – Në përvjetorin e 26-të të vrasjes së intelektualit dhe politologut të njohur shqiptar, Prof. Fehmi Agani, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar me nderim dhe mirënjohje figurën e tij madhore, duke e cilësuar si një nga shtyllat themelore të lëvizjes paqësore për liri dhe pavarësi të Kosovës.

“Më 6 maj të vitit 1999, Kosova humbi njërin nga veprimtarët e mëdhenj – Prof. Fehmi Aganin, intelektualin e urtë, politologun vizionar, sociologun dhe atdhetarin e paepur,” u shpreh Abdixhiku. Ai theksoi se vrasja e Aganit nga forcat serbe ishte një plagë e rëndë për vendin dhe përpjekje për të goditur mendimin kritik dhe strategjinë e arsyes në ditët më të vështira për popullin shqiptar të Kosovës.

banner

Prof. Fehmi Agani ishte një nga themeluesit e LDK-së dhe bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit historik, Ibrahim Rugova. Si nënkryetar i kësaj partie dhe ideator i strategjisë paqësore, ai u bë zëri i urtësisë, duke udhëhequr me mençuri drejt një të ardhmeje të lirë dhe të pavarur.

Në fjalën e tij përkujtimore, kryetari i LDK-së theksoi gjithashtu rolin e pazëvendësueshëm të Aganit si profesor i dalluar në Universitetin e Prishtinës. “Ai edukoi dhe formoi me përkushtim breza të tërë studentësh që më vonë u bënë prijës të lëvizjes për liri,” tha Abdixhiku, duke shtuar se ligjëratat e Aganit përçuan ndjenjën e krenarisë dhe të rezistencës në një kohë të rëndë për shqiptarët.

“Sot, në 26 vjetorin e vrasjes së tij, e kujtojmë me pietet figurën e tij madhore dhe veprën e tij. Trashëgimia që ai la pas është udhërrëfyes i përhershëm në rrugëtimin tonë për ndërtimin e një Kosove me një të ardhme më të mirë, të drejtë dhe të denjë për sakrificat e bijve më të mirë të saj,” përfundoi Abdixhiku.

Lavdi jetës dhe veprës së Prof. Fehmi Aganit!

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy