Partia Demokratike ngriti alarmin se 466 mijë qytetarë shqiptarë nuk do të mund votojnë në zgjedhjet e 11 majit, pasi u kanë skaduar dokumentet e identifikimit.
Nënkryetari i PD Oerd Bylykbashi deklaroi se pothuaj gjysmë milioni qytetarë po u mohohet e drejta e votës për shkak të dokumenteve duke i kërkuar qeverisë të ndërhyjë për të shtyrë vlefshmërinë e kartave të identitetit dhe pasaportave vetëm për procesin e votimit. Bylykbashi solli në vëmendje se qeveria Shqiptare zgjati pak muaj më parë vlefshmërinë vetëm për zgjedhësit që jetojnë jashtë Shqipërisë, duke diskriminuar ata që janë në Shqipëri.
“Ky diskriminim është antikushtetues dhe rrezikon të drejtën e votës së këtyre 466.000 shtetas që banojnë në Shqipëri, dhe më 11 maj duan të votojnë e të shprehin të drejtën e tyre kushtetuese. I kërkojmë qeverisë që pa vonesë të nxjerrë aktin normativ dhe të zgjatë vlefshmërinë e dokumenteve të identitetit vetëm për arsye zgjedhore, që këta shtetas më 11 maj të kenë mundësi të votojnë.”,, tha nënkryetari i PD Oerd Bylykbashi.
5 dita para zgjedhjeve parlamentare opozita i kërkoi qeverisë të veprojë pa humbur kohë.
“Kjo të bëhet tani, menjëherë, në mënyrë që më 11 maj të gjithë shqiptarët të kenë të drejtën të shprehen për ndryshimin, për të ndryshuar këtë regjim autokratik.”
Pak muaj më parë qeveria miratoi aktin normativ që të gjithë shqiptarët e diasporës të mund të votojnë edhe pse u kanë skaduar dokumentet e identifikimit, por refuzoi propozimin e PD që një lehtësim i tillë të aplikohej edhe për qytetarët që jetojnë brenda kufijve të Shqipërisë.