Kryeministri i vendit, Albin Kurti është përgjigjur sot shkurt nëse pret përgjigje pozitive nga Lidhja Demokratike e Kosovës pas ftesës së dërguar për koalicion.
Kurti i cili ishte në Gjilan për vendosjen e një gurthemeli të objektit për banim të përballueshëm tha se çështje të tilla janë të Prishtinës.
“Ato janë çështje të Prishtinës, këtu jemi për banim”, tha shkurt Kurti pasi e vendosi gurthemelin e objekteve për banim të përballueshëm dhe social në Gjilan.
Më pas, ai u pyet nga mediat nëse “opozita po e zvarritë konstituimin nga frika se më pas LVV-ja do të formojë qeverinë e re”.
“Nuk është kollaj të analizojmë frikën e opozitës, edhe kjo është punë për analistë. Unë kryeministër, vazhdojmë tutje ose VVazhdojmë tutje”, tha Kurti duke qeshur
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i dërgoi letër kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku më 5 maj, duke i bërë ftesë për koalicion. Deri më tash, Abdixhiku nuk i ka kthyer përgjigje zyrtare.
Deputetët kanë dështuar sërish më 5 maj të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, pasi LVV-ja nuk ka arritur t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për kryeparlamentar.
Deri më tash janë bërë 11 përpjekje të pasuksesshme për konstituim.
Lëvizja Vetëvendosje nuk po heq dorë nga emri i Albulena Haxhiut si e propozuar për kryeparlamentare, ndërkaq PDK dhe AAK po kërkojnë që të ndryshohet propozimi.
LDK, në anën tjetër, është shprehur kundër çdo propozimi të LVV-së.
Në dy përpjekjet e fundit për konstituim të Kuvendit, LVV ka kërkuar që kryetari i Kuvendit të votohet në mënyrë të fshehtë, por kjo është kundërshtuar nga partitë e tjera.