Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deklaroi sot se procesi i votimit nga jashtë ka hasur vështirësi, veçanërisht në shpërndarjen e zarfeve nga operatori postar DHL, por theksoi se integriteti i votimit nuk mund të vihet në dyshim.
“Procesi është i realizuar shumë mirë. Votimi nga jashtë në Gjermani, me gjithë respektin që kam për sistemin gjerman, rezulton me humbje të 40 mijë votave. Apo problemet në Austri ku nuk i konsideruan fletët e votimit nga jashtë për shkak të problematikave me ngjitësin e zarfit”, u shpreh ai.
Celibashi sqaroi se deri tani janë regjistruar 156 ankesa nga votuesit e diasporës, ndër to 90 raste ku zarfi është lënë jashtë banesës, 21 ankesa për mosmarrje të zarfit nga DHL, dhe disa raste ku votuesit nuk janë njoftuar ose nuk kanë marrë dokumentet.
Ai theksoi gjithashtu: “21 mijë zarfe nuk janë shpërndarë akoma. 11 mijë për shkak të pasaktësisë së të dhënave të kontaktit, ndërsa pjesa tjetër sepse votuesit nuk kanë reaguar ndaj njoftimeve të DHL.”
“Edhe pse partitë janë plotësisht në të drejtën e tyre, për ligjin dhe për marrëdhëniet kontraktuale që kemi me operatorin e shërbimit postar, ne njohim atë që vetë individi i prezanton KQZ-së”, shtoi Celibashi