Deputetja dhe nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, i cili ka kritikuar LDK-në duke e cilësuar si një parti pa identitet dhe pa të drejtë për të ftuar partitë në bashkëpunime politike.
Në Debat Plus, Lushaku-Sadriu e ka quajtur Pecin “shërbëtor” të Vetëvendosjes, duke shtuar se ai kishte braktisur LDK-në për interesa personale për t’u bashkuar me një subjekt ideologjikisht të kundërt – Lëvizjen Vetëvendosje.
“Vërtetë është për keqardhje, qysh një deputeti i Kuvendit, që e ka braktisur LDK-në për çështje krejt interesash. Ka shkruar te një parti krejt e kundërt ideologjikisht, e majtë, iu ka bërë shërbëtorë.
Faton Peci për para se me fol për vlertat identitare të LDK-së, duhet me na tregu për kontratat super korruptive që i ka në tavolinë edhe prokuroria. Është mirë me i dallu kush ka të drejtë morale me fol për çka. Në këtë rast du vetëm me thënë që LDK-ja po tregon që ka kurajo për me qenë unifikuese dhe me dal përtej interesave partiake për adresuar një krizë politike. Përndryshe ne i kemi thënë një ‘JO’ të madhe Vetëvendosjes dhe çiftave të Faton pecit, që përdorin një gjuhë të tillë”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
Reagimi i saj erdhi pas deklaratave të Pecit në ATV.
“Kam përshtypje që kanë mbetë vetëm shkronjat, ndërsa është një subjekt i ri që quhet ‘Rruga e Re’. Është paradoksale me pretendu me marrë rol në rast se një kryeministër i ka 42.3% të votës dhe përfaqëson shumicën shqiptar”, ka thënë Peci ndër të tjera