Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka bërë një debutim mahnitës në Met Gala, një nga ngjarjet më të rëndësishme të modës në botë, që u mbajt të hënën mbrëma në New York.
E njohur për stilin e saj të guximshëm dhe praninë e saj karizmatike, Bebe ka ndarë në Instagram disa fotografi nga paraqitja e saj e parë në tapetin e kuq të Met Gala-s.
Ajo shkëlqeu në një fustan të dizajnuar nga fituesi i “Project Runway”, Christian Siriano, i cili u kujdes për çdo detaj të këtij momenti të veçantë.

Veshja e Bebe Rexhës ishte një kombinim elegant dhe sensacional: një xhaketë e shkurtër pa reçipeta, me dekolte të thellë dhe mëngë me thekse të bardha, e kombinuar me një korse të ngushtë që theksonte linjat e saj trupore, e cila kalonte më pas në një fund me tyl.
Pamjen e kompletoi me doreza rrjete të zeza dhe bizhuteri me shkëlqim, përfshirë një varëse të gjatë me diamante që i jepte edhe më shumë hijeshi.

Në një postim në Instagram, Bebe pozoi pranë stilistit të saj, duke shkruar: “Jam shumë e emocionuar për Met Gala-n time të parë. Shumë e lumtur që është me ty. Të dua @csiriano”.”.
Met Gala e këtij viti kishte si temë ekspozitën pranverore të Costume Institute, që i kushtohej “Black Dandyism” — një koncept që përqafon stilin, identitetin dhe ndikimin kulturor të burrave me ngjyrë në histori dhe modë.

Ndër bashkë-prezantuesit e mbrëmjes ishin yje si Colman Domingo, Lewis Hamilton, A$AP Rocky dhe Pharrell Williams.
Për Bebe Rexhën, kjo paraqitje shënon jo vetëm një moment të rëndësishëm në karrierën e saj, por edhe një prezantim të denjë të stilit dhe identitetit shqiptar në skenën më të lartë të modës botërore.




