Me keqardhje të thellë, po shohim një tendencë shqetësuese në skenën politike të Kosovës: instrumentalizimi i disa partive minoritare në përpjekjet për të njollosur nismat e mirëbesimit dhe të unitetit politik, të ndërmarra nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Kjo tendencë, e përqendruar në sulme publike dhe deklarata të pavërteta, përbën një kthesë të rrezikshme për përfaqësimin e pakicave dhe për bashkëpunimin ndëretnik në vend, ka thënë Lumir Abdixhiku në reagimin e tij sot.
Abdixhiku ka sjellë në qendër reagimin e komuniteteve jo shumicë në një konferencë me media përpara se të fillonte vazhdimi i seancës për konstituimin e Kuvendit. Sipas Abdixhikut, tre përfaqësues të komuniteteve joshumicë, të cilët aktualisht mbajnë poste në kabinetin qeveritar në detyrë, organizuan një konferencë shtypi ku hodhën akuza të pabaza ndaj LDK-së, duke pretenduar se janë përjashtuar nga propozimi tranzitor për formimin e një qeverie nacionale. Madje, në një gjuhë të paprecedentë dhe të dënueshme, LDK-ja u cilësua si “parti shoviniste” – një etiketim i pashembullt në historinë e Republikës së Kosovës, ka thënë Abdixhiku.
Ky qëndrim nuk është vetëm i padrejtë, por edhe një pasqyrim i kopjimit të gjuhës polarizuese që ka ndarë shoqërinë kosovare. Ai nuk shpreh interesin e komuniteteve për përfaqësim dinjitoz, por përfshirje në një lojë politike që dëmton besimin dhe bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve, theksoi Abdixhiku
Për më tepër, është e rëndësishme të theksohet: të jesh shqiptar nuk është krim. Të kërkosh unitet ndër-shqiptar nuk është krim. Bashkëpunimi politik ndërmjet partive shqiptare është jo vetëm i ligjshëm, por edhe historikisht i domosdoshëm. Që nga viti 1989, LDK ka mbrojtur idenë e një bashkëpunimi të gjerë kombëtar në funksion të një shteti demokratik, përfshirës dhe ligjor.
Në fakt, për 17 vite të shtetësisë së Kosovës, dakordimi mes partive shqiptare ka qenë gjithmonë parakusht për përfshirjen e partive të komuniteteve joshumicë – një përfshirje e garantuar nga Kushtetuta, e hartuar pikërisht nga LDK. Sot, për herë të parë, përfaqësues të komuniteteve joshumicë janë rreshtuar hapur kundër një partie shqiptare, në kundërshtim me parimin e neutralitetit që kërkon përfaqësimi i tyre, tha Abdixhiku.
Kjo qasje përbën rrezik për vetë komunitetet joshumicë, të cilat kanë nevojë për përfaqësim të pavarur, të ndershëm dhe të respektueshëm ndaj të gjitha forcave politike, jo për t’u bërë pjesë e përplasjeve të brendshme partiake.
Për të hedhur dritë mbi të vërtetën, LDK ka publikuar në mënyrë transparente tekstin e plotë të propozimit për Qeverinë Nacionale të Tranzicionit, e cila është menduar si një hap unifikues dhe gjithëpërfshirës:
“Qeveria Nacionale e Tranzicionit, e formuar nga të gjitha partitë shqiptare dhe, në përputhje me dispozitat kushtetuese, EDHE NGA PËRFAQËSUES TË PARTIVE TË KOMUNITETEVE JOSHUMICË, do të ketë afat të caktuar (deri në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri), qëllime të qarta politike dhe ekzekutive, program dhe agjendë ekzekutive të dakorduar, si dhe kryeministër dhe kabinet përfaqësues dhe unifikues.”, ishte cekur në shkresen e LDK-së të cilen e bëri publike Lumir Abdixhiku dje në një konferencë me media.
Siç shihet qartë, përfshirja e komuniteteve joshumicë është jo vetëm e garantuar, por edhe e kërkuar në këtë propozim. Fshehja apo deformimi i kësaj të vërtete nga tre përfaqësues minoritarë është një veprim që e dëmton vetë pozitën e komuniteteve që ata pretendojnë të përfaqësojnë.
Në vend të polarizimit dhe akuzave të pabaza, është koha për dialog të ndershëm, respekt institucional dhe bashkëpunim ndërpartiak. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një Kosovë që i shërben të gjithëve.