Bajrami ia kthen Muratit: Vendin në kohën e UNMIK-ut e para saj e ka kthyer Vetëvendosje

by Nexhat

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i është kundërpërgjigjur deputetit të Vetëvendosjes, Hekuran Murati, i cili propozimin e partisë së saj për qeveri nacionale të tranzicionit e quajti “skenar ogurzi” dhe kthim “në kohën e UNMIK-ut”.

Bajrami tha se vendin në këtë kohë e ka kthyer Vetëvendosje me veprimet e saj gjatë mandatit që shkoi.

banner

“Vendin në kohën e UNMIK-ut e para asaj kohe e ka kthyer LVV, sepse në kohën e UNMIK-ut: nuk ka pasur sanksione ndërkombëtare ndaj Kosovës, zyrtarët shtetërorë janë përgjigjë institucioneve të drejtësisë e nuk i kanë mohuar ato, politikanët që kanë shkelur Kushtetutën kanë dhënë dorëheqje, nuk kanë marrë institucionet peng, Kuvendi nuk është mbledhur 12 herë me radhë për të dështuar në zgjedhjen e kryetarit”.

Për me tepër, thotë Bajrami, është LVV që ka pranuar marrëveshje me Serbinë ku i referohet Rezolutës 1244 mbi të cilën funksionon edhe UNMIK-u.

“Sot, Kosova është në krizë sepse LVV nuk pranon që s’po mund të bëjë shumicën, LVV sot e mbani shtetin peng, sepse ata e kanë interesin e partisë para interesit të shtetit e interesin personal mbi interesin qytetar”.

Bajrami tha se mospranimi i propozimit të LDK-së është e drejtë e Vetëvendosjes, por thotë se duhet të bëjnë zgjidhjen për të dalë nga bllokada e krijuar.

“Mos e pranoni propozimin tonë, është e drejtë e juaja, ne nuk imponojmë, ne kemi propozuar zgjidhje, urdhëro e bëjeni shumicën e mos u tallni me shtetin dhe me qytetarët. Propozimi për Qeveri Transitore përmes marrëveshjes nuk është kundër askujt por është në të mirë të të gjithë qytetarëve”.

Pas seancës, Murati para gazetarëve akuzoi LDK-në se me këtë propozim do të përçonte mesazh të keq.

“Pra, pas sa e sa viteve qëndrueshmëri institucionale të kthehet edhe njëherë në kohën e UNMIK-ut. Ky do të ishte skenari më ogurzi i mundshëm dhe mesazhi më i keq që mund ta çojë Kosova edhe te bashkësia ndërkombëtare”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy