Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke adresuar kritika të ashpra ndaj Qeverisë Kurti për gjendjen e rënduar të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë dhe pasojat financiare që, sipas tij, po i shkaktohen Kosovës.
Selmanaj nis reagimin me një pyetje retorike e simbolike: “Si me e mbajt shtëpinë pa miq?!” — duke nënvizuar mungesën e interesimit të aleatëve ndërkombëtarë për zhvillimet e fundit politike në vend, sidomos në kontekstin e konstituimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Sipas tij, kjo indiferencë e aleatëve ka ardhur si pasojë e sjelljeve të papërgjegjshme të Qeverisë Kurti gjatë katër viteve të fundit, të cilat, siç thotë ai, kanë dëmtuar seriozisht raportet e ndërsjella.
Ai shprehu shqetësimin për faktin që SHBA, aleati kryesor i Kosovës, ende nuk ka emëruar një ambasador në Prishtinë, duke lënë ambasadën pa përfaqësim të plotë tash e pesë muaj. Për më tepër, Selmanaj theksoi pezullimin e më shumë se 150 milionë dollarëve nga fondet e USAID-it, të cilat përfshinin projekte të rëndësishme për institucionet publike, universitetet, mediat, dhe sektorin privat.
Deputeti i LDK-së gjithashtu kujtoi edhe humbjen e fondeve nga Programi MCC, i cili pritet të mbyllet si pjesë e reformave të Administratës Amerikane. Kjo, sipas tij, përbën një tjetër goditje për Kosovën, e cila do të humbë 220 milionë dollarë të planifikuar për projekte energjetike dhe infrastrukturore.
Gjendja nuk është më e mirë as në raport me Bashkimin Evropian. Selmanaj rikujtoi se Kosova është nën masa sanksionuese të BE-së tash e 680 ditë, duke humbur projekte me vlerë mbi 500 milion euro. Ai theksoi se vendi aktualisht nuk ka qasje as në fondin prej 1 miliard eurosh që BE ka planifikuar për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Planit të Rritjes.
Sipas përllogaritjeve të Selmanajt, vetëm gjatë vitit 2024 dhe pesë muajve të parë të vitit 2025, Kosova ka humbur rreth 1 miliard euro ndihmë financiare nga SHBA dhe BE, pa llogaritur pasojat politike dhe diplomatike, të cilat i cilëson “të mëdha dhe shumë të dëmshme për të tashmen dhe të ardhmen e vendit”.
Në përfundim të reagimit të tij, Selmanaj i cilëson këto pasoja si “faturën që po e paguan Kosova dhe qytetarët e saj për shkak të aventurave dhe papërgjegjësisë së turpshme politike të Albin Kurtit”.