Zyra e kryeministrit të Pakistanit, Shehbaz Sharif, ka thënë se forcat e armatosura të vendit janë autorizuar të ndërmarrin “veprime përkatëse” pas sulmeve të Indisë
India sulmoi Pakistanin dhe Kashmirin pakistanez mbrëmjen e sw martës në luftimet më të ashpra midis dy kombeve të armatosura me armë bërthamore për dekada të tëra. Pakistani pretendoi se kishte rrëzuar pesë aeroplanë indianë gjatë sulmit.
Zyrtarët e ministrisë indiane të mbrojtjes nuk e kanë konfirmuar shifrën.
India pretendoi se kishte goditur nëntë objektiva që i përshkroi si “infrastrukturë terroriste”. Dy zëdhënës ushtarakë indianë thanë në një konferencë në New Delhi se grupet militante islamike Jaish-e-Mohammed (JeM) dhe Lashkar-e-Taiba (LeT) ishin objektivat.
Sekretari i jashtëm indian Vikram Misri, zyrtari më i lartë në ministrinë e saj të punëve të jashtme, tha në një konferencë se “Inteligjenca dhe monitorimi i moduleve terroriste me bazë në Pakistan treguan se sulme të mëtejshme kundër Indisë ishin të afërta, prandaj ishte e nevojshme të ndërmerreshin sulme parandaluese dhe paraprake.”
Islamabadi tha se gjashtë vende pakistaneze u shënjestruan dhe se asnjëra prej tyre nuk ishte kamp militantësh. Të paktën 26 civilë u vranë dhe 46 u plagosën, tha një zëdhënës i ushtrisë pakistaneze. JeM tha në një deklaratë të mërkurën se 10 të afërm të udhëheqësit të saj Masood Azhar u vranë në një sulm indian.
Policia dhe mjekët indianë kanë thënë se të paktën shtatë civilë u vranë dhe 30 të tjerë u plagosën nga të shtënat dhe granatimet hakmarrëse pakistaneze gjatë natës, shkruan The Guardian,
Sulmet vijnë disa javë pasi 26 turistë, kryesisht indianë, u vranë nga militantët në Kashmir