Me rastin e 27-vjetorit të rënies së heroit të Kosovës, Bahri Fazliu, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka bërë homazhe te varri i tij.
Kurti u shprehi lavdi dëshmorëve, por nuk e foli asnjë fjalë për politikë si zakonisht.
Ai vendosi të mos e thotë asnjë fjalë në momentin kur u pyet nga gazetarët se si e ka parë propozimin e kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku për një qeveri tranzitore. Kurti injoroi pyetjen dhe u largua nga turma e gazetarëve.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, njoftoi dje se i ka ftuar të gjitha partitë parlamentare shqiptare të takohen së bashku për ta formuar një qeveri tranzitore dhe “unifikuese”.
Propozimi i Abdixhikut vjen pas një letre që ai e mori nga partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, për koalicion qeverisës dhe pas dështimeve të njëpasnjëshme për formimin e institucioneve të reja rreth tre muaj pas zgjedhjeve.
Kurse dje, Kurti deklaroi nga Gjilani se do të vazhdojë të jetë kryeministër i Kosovës.
Këtë e tha gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e një objekti për banim të përballueshëm, ku u shpreh me bindje se qeverisja e tij do të vazhdojë.