SKËNDERBEU DHE TRE PROVOKUESIT E TIJ NGA ARBËRIA – DIKUR DHE SOT

by Nexhat

(Lekizmi-hamzizmi-ballabanizmi)

Pastor dr. Femi Cakolli

banner

Sot kujtojmë personalitetin arbëror me famë botërore, 620 vjetorin e lindjes së Gjergj Kastriotit për të cilin janë shkruar mbi 600 tituj librash nga autorë ndërkombëtarë e shqiptarë në këta pesë shekujt e fundit, dhe kështu bëhet shqiptari më i studiuar kudo në Europë nga mesjeta e deri tani. Vepra shkencore e artistike për të vazhdojnë të shkruhen edhe sot dhe nuk do ndalen.

Këto janë shtatë burimet më të hershme dhe më të rëndësishme për Skënderbeun, derisa autorët tjerë bazat i kanë në këto:

1. Martin Segoni (1480), prift, nga Artana ose Novobërda e Gallapit të Kosovës

2. Marin Barleti (1505), prift shkodran; libër biografik

3. Dhemetër Franku (1520?), biografi

4. Joan Muzaki (1530?), biografi, e konsideruar tendencioze

5. Giammaria Biemmi (1742), biografi, thuhet diku se ka ekzagjerime

6. Frank Bardhi (1745), libër apologjik

7. Jakob Filip Fallmerayer (1862), libër studimor.

Nganjëherë nga dashuria e glorifikimi, kemi dëshirë që historinë ta mitizojmë dhe folklorizojmë, por në rastin e Gjergjit ka aq shumë dokumente e dëshmi saqë shkencës e historisë nuk i mbetën dilema fare për figurën epiqendrore të qenësisë dhe identetit arbëroro-shqiptar.

Gjergj Kastrioti u lind në Mat ose Dibër më 6 maj të vitit 1405, pra ditën e Shëngjergjit – një festë e ngulitur thellë në kulturën shqiptare edhe sot, dhe ishte fëmija më i vogël i Gjonit. Gjergji është vërsnik me fillimin e hershëm të renesancës dhe humanizmit europian. Nga kjo pikëpamje historike, Kastrioti, praktikisht është para-rilindësi dhe pararoja më e hershme e çështjes shqiptare.

Skënderbeu u bë dhe mbeti i famshëm në Europë pasi ai po fitonte nëpër beteja kundër turqve përderisa kudo tjetër në pjesët kontinentale kishte disfata e hata, mirëpo në atdheun e tij pas pushtimit osman me kohë nis edhe të harrohet. Ishin arbëreshët e Italisë, të ikurit nga Arbëria para dhe pas vdekjes së Gjergjit, ata që e ruajtën prore kujtimin, këngën, vajtimin, simbolet, vallen, shenjat, luftën e Skënderbeut etj. Kastriotin e rizbuluan shkrimtarët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare prejardhur nga letërsia e arbëreshëve.

Mesazhin njerëzor, atdhetar, kulturor e etik që e jepte kthimi i Skënderbeut në Krujë, në shtëpinë e tij përbën katër vlera themelore: kthimi tek vetvetja, kthimi në identitetin e tij, kthimi në vlerat historike të vendit dhe popullit të tij, si dhe përbashkuesi i princave shqiptarë ose bashkimi i popullit tonë në luftë për çlirim. Gjithë këta faktorë janë ekuivalentë edhe tani.

Skënderbeu si kryeheroi i gjithë shqiptarëve, sot si vizion dhe ide e vazhdueshme e popullit tonë për unifikim na dëshmon disa sfidues ose provokues që ai i pati nga Arbëria, shtëpia e tij. Tri janë më kryesoret: Leka dhe lekizmi, Hamza dhe hamzizmi, Ballabani dhe ballabanizmi. Çka përfaqësojnë këto fryma edhe sot mes shqiptarëve pasi janë të gjalla edhe tani? Madje këto janë shumë të mëdha krahasuar me skënderbianën?!

Lekë Dukagjini ose lekizmi përfaqëson shqiptarët, që nuk bashkohen nga frika iracionale për luftë të përbashkët. Skënderbeu kishte diku rreth 12 mijë luftëtarë, kurse Leka kishte edher mbi 15 mijë forca. Këto bashkë do të mund të bënin gati 30 mijë ushtarë. Lekizmi përfaqëson opozitarizmin, inatin, xhelozinë, trembjen rivale, por edhe ruajtjen e ofiqit tënd pra një lloj mbretrimthi. Lekistët dikur vonë vetëdijesohen por bëhet vërtet vonë për kauzën e madhe, prandaj mbesim fytyrëgrrithur!

Hamza dhe hamzizmi është tradhtia klasike brenda oborrit tënd, prej fisit, brenda gjakut, brenda trupit ose thënë sot brenda klanit e partisë. Hamzimi është kthimi a pendesa e rreme identitare kombëtare. Është zhurmë dhe mbështetje për planin B, krejt personal. Hamzistët nuk ndahen kurrë nga aleanca me ata që na kanë pushtuar, sunduar, rrahur, burgosur. Këta presin që mos të kesh sukses nga rivaliteti e smira dhe janë adresa që ty presin që të zhdukin gradualisht me oportunizëm të natyrshëm. Kurrë nuk flenë që të vijnë në pozitën tënde.

Ballabani e ballabanizmi përfaqëson renegatin ose mercenarin që ka shitur tërë shpirtninë dhe qeniesinë nacionale e familjare te armiku për famë, grada, para e uniformë. Kundërshtarët më të rreptë ushtarakë të Skënderbeut nuk ishin sulltanët por Pashai Ballabani. Sa herë dikush përmend pashallarët shqiptarë mua më kujtohet çdoherë pasha Ballabani, ndoshta i pari pasha shqiptar. Sipas Barletit po ky Ballabani erdhi 8 herë me shtri kundër Arbërisë. Pra kishim dy ushtri ndërluftuese me gjeneralë arbërorë, madje te dy ishin dibranë, Ballabani dhe Skënderbeu. Kjo skemë shpesh është përsëritur në histori. Ballabani bëri dëme që kurrë askush tjetër nuk i bëri kundër Arbërisë. Sot fatkeqësisht të rreshtuar si Ballabani ka plot mes nesh, por ka një shpresë kundër këtij soji pasi Skënderbeu e mundi më në fund me paepurin dhe zotësinë e tij.

Si ishte fati i këtyre tre provokatorëve: Leka grithi fytyrën e tij, bëri pak rezistencë ndaj turkut dhe pastaj shumë nga këta luftëtarë u vranë, ikën ose u harruan. Hamzai përfundoi i vetëm në burgjet e Napolit. Ballabani u rrop i gjallë! Skënderbeu mbeti me lavdi!

Gjergji pra fitoi mbi të gjithë këta provokatorë dhe e rrënjosi thellë etjen sikurse edhe çmimin për liri në popullin tonë në cilado prej luftërave që i kemi pasur deri tani. Nëse e shikon pozitën e shqiptarëve edhe pas 557 vjetëve, nga koha e Skënderbeut, aleancat dhe kundërshtimet e jashtme e të brendshme janë gati njësoj.

Në dokumentet për Skënderbeun përmenden kryesisht vetëm tri femra më me peshë: Vojsava – nëna e Skënderbeut, Mamica – motra dhe Andronika – gruaja. Asnjëra nuk pati rol që mund të dëshmohet në luftën e Skënderbeut, ose së paku nga dokumentet kështu na del, sepse Skënderbeu nuk pati një oborr mbretëror nga të sundonte meqë ishte në luftë të përhershme.

Pas vdekjes së Huniadit më 1458 në Europë Skënderbeu mbeti figura më e madhe dhe e vetme, më e lavdishme ku adhurohej dhe lartësohej ndaj luftimit dhe rezistencës kundër osmanëve. Ishte kompozitori i Firencës Antonio Vivaldi që i kushtoi Skënderbeut një operë qysh më 1718 dhe ai shkroi: “midis luftërave të shumta që bëheshin në atë kohë më të përgjakshmet ishin ato kundër turkut. Një prej simboleve europiane të rezistencës ndaj rrezikut turk ishte Gjergj Kastrioti, princi shqiptar nga familja Kastrioti. Së shpejti bëhet personazh i adhuruar ndër krijuesit letrarë dhe të artit figurativ, të pamfleteve politike dhe simbol i luftës kundër rrezikut osman”.

Me gjithë ato aleanca me interesa të shumëfishta e ndërskamca, plot premtime shpeshherë boshe nga disa fuqi krishtere perëndimore të kohës, pastaj armiqësia e princërve serbë, me gjithë kundërshtimet dhe tradhtitë e brendshme arbërore, sulmet e parreshtura barbare turke e që në krye të tyre tre herë ishin dy sulltanë, me gjithë shkatërrimin e fushave dhe kështjellave, dëbimin e popullatës – lirisht mund të pyesim e mendojmë – si ishte e mundur që kryeheroi i shqiptarëve qëndroi, rezistoi, luftoi, jetoi në Arbëri për një çerek shekull duke pasur të ushtri të mbledhur kryesisht vetëm me dibranë e matjanë.

Lufta turko-arbërore në perëndim është parë si një luftë fetare pasi kështu ajo mund ta prekte çdo të krishterë në Europë, sepse kjo ishte gjuha e papës, ishte gjuha e kardinalëve, gjuha e të krishterëve, ishte gjuha mbretërve katolikë, por në fakt kjo ishte një luftë vetëm për territor e interesa. Skënderbeu përmes të dërguarve të tij dhe letrave përdori shpeshherë po këtë gjuhë pasi këtë gjuhë e kuptonin dhe donin që të flitej aso kohe në Europë për mobilizim, mirëpo këtij fakti kryekëput politik të atëhershëm i ngjyrosur fetarisht, në këto dy dekadat e fundit mes disa shqiptarëve janë ngjallë hutime e ndjenja sulmi e përdhosjeje ndaj figurës së Gjergjit gjoja se ai ka bërë luftë fetare. Poshtërsia më skandaloze që po dëgjohet nga ballabanët dhe hamzianët e sotëm është deklarata “Skënderbeu nuk është heroi im se ai ka vrarë myslimanë”. Po, ai ka vra sa ka mundur ushtarë armiq o ishin të besim mysliman o të krishterë që kishin ardhur kundër tij pavarësisht a kishin etni turke, greke, sllave, arbërore ose kushdo tjetër që i ka dalë para nën flamurin otoman. Mirëpo po ky Kastriot o njerëz ka vrarë edhe disa të krishterë shqiptarë në Arbëri të cilët ishin aleatë me Venedikun, dhe kur Skënderbeu shkoi në Itali a nuk bëri kërdi mbi qofshin galë, anjevinë apo francezë e që ishin të krishterë?! Pavarësisht prej këtyre Papa i dha titullin “Atleti i Krishtit”, jo për motive fetare, por civilizuese dhe për mbrojtjen e Europës.

Sot lekistët janë grupimi më i madh mes popullit tonë që nuk bëjnë gjë, pastaj vijnë ballabanët si boshti më i madh ndonjëherë mes shqiptarëve duke bërë punë antishqiptare, pastaj edhe hamzianët në fund të cilët janë tradhtarët e heshtur. Pra opozitarizmi, fama, paraja dhe tërpia për pushtet si edhe te shumë vende tjera edhe te ne mbeten sfidat më të theksuara.

Ju falënderoj shumë, dhe Zoti u bekoftë dhe e ndriçoftë me dritën e tij tërë kombin tonë, Kosovën dhe Shqipërinë, dhe nëse ka ndonjë shqiptar që ka frikë madje edhe për punët e veta dhe orientimin e tij, le të provojë nga e para të bëhet Skënderbe!

Kumtesa e prezantuar dje në konferencën shkencore të mbajtur në Institutin Albanologjik të Prishtinës për nder të ditëlindjes së Gjergj Kastriotit, organizuar nga shoqatat patriotike të Kosovës. Autori Dr. Femi Cakolli është Pastor i Kishës Protestante të Kosovës

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy