Të paktën 92 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

by Nexhat

Sulmet ajrore izraelite në mbarë Gazën kanë vrarë të paktën 92 persona, përfshirë gra dhe fëmijë si dhe dy gazetarë, thanë zyrtarët më 7 maj. Sulmet e fundit vijnë në kohën kur Izraeli po përgatitet të zgjerojë fushatën në Rripin e Gazës, të shkatërruar nga lufta që tashmë po hyn në muajin e 20-të.

Dy sulme ajrore izraelite goditën një zonë në qendër të Gazës, duke vrarë të paktën 33 persona dhe duke plagosur 86 të tjerë – përfshirë disa fëmijë – edhe pse numri real i viktimave me gjasë është shumë më i lartë, thanë zyrtarët shëndetësorë.

banner

Izraeli nuk ka komentuar për këto sulme.

Izraeli po ashtu kreu edhe dy sulme në një treg të mbushur me njerëz në Qytetin e Gazës, sipas zyrtarëve shëndetësorë.

Në mesin e viktimave ishte edhe gazetari Yahya Sobeih, tha zyra për media në Gazë.

Viktimat dhe të plagosurit u dërguan në spitalin Al-Shifa, tha Ministria e Shëndetësisë në Gazë.

Edhe një gazetar tjetër lokal, Nour Abdu, u vra teksa po mbulonte një sulm që ndodhi më herët gjatë së mërkurës në një shkollë të shndërruar në strehimore në Qytetin e Gazës. Gjatë atij sulmi u vranë 16 persona, sipas zyrtarëve në spitalin Al-Ahli, ndërkaq sulmet e tjera izraelite në zona të tjera të Gazës vranë edhe të paktën 16 njerëz.

Ndërkaq, në një sulm të martën mbrëma në një shkollë të shndërruar në strehimore, u vranë 27 persona, thanë zyrtarët nga spitali Al-Aksa. Sipas tyre, në mesin e viktimave ishin edhe nëntë gra dhe tre fëmijë.

Sulmet e fundit vijnë teksa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të mërkurën tha se “dyshon” se ende janë gjallë tri pengje që më herët besohej se po mbaheshin të gjallë në Gazë. Kjo deklaratë e udhëheqësit izraelit erdhi një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se vetëm 21 nga 24 pengjet e mbetura besohet se janë gjallë.

Sulmet vdekjeprurëse të së mërkurës u kryen disa ditë pasi Izraeli miratoi një plan për intensifikimin e operacioneve të tij në enklavën palestineze. Ky plan përfshin edhe okupimin e Gazës, mbajtjen nën kontroll të territoreve të kapura, zhvendosjen me forcë të palestinezëve në jug të Gazës dhe marrjen nën kontroll të shpërndarjes së ndihmave.

Izraeli ka thirrur dhjetëra mijëra rezervistë ushtarakë me qëllim që të zbatojë këtë plan.

Lufta në Gazë nisi në tetor të vitit 2023, pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – sulmoi Izraelin, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Luftimet u ndalën për dy muaj pas arritjes së një armëpushimi, por në mars Izraeli rinisi fushatën, duke thënë se me sulmet e reja kërkon t’i bëjë presion Hamasit që të dorëzojë pengjet e mbetura.

Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 52.000 persona, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Izraeli fajëson Hamasin për numrin e lartë të viktimave, duke thënë se grupi radikal palestinez operon nga infrastrukturat civile, përfshirë nga shkollat./REL

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy