Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ftesa e Presidentes Osmani ka qenë përpjekje për ta zhbllokuar situatën politike, por përgjegjësia qëndron mbi të gjithë deputetët.
Sipas Çekut, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për dialog, partitë politike nuk kanë treguar vullnet për lëvizje nga pozicionet e tyre.
“Ne deri tash i kemi bërë disa përpjekje për të ofru zgjidhje, alternativa dhe mundësi për të dalë nga kjo situatë, e cila është një situatë e papëlqyeshme, duhet meqë të pranuar, por megjithatë është një situatë për të cilën kam përgjegjësi të njëqind e njëzet deputetët e zgjedhur, pra po flasim edhe për vetë Kushtetutën edhe për aktgjykimet e Kushtetutës edhe për një letër të Presidentes në fillim të përpjekjes për konstituim, është përgjegjësi e të gjithëve, prandaj edhe zgjidhja duhet të gjendet aty, brenda, në Kuvend,” tha Çeku.
Ai shtoi se përpjekja e fundit për ta zgjidhur krizën ishte ideja për një votim të fshehtë në Kuvend.
“Ne kemi bërë disa përpjekje edhe për dialog politik me grupet politike të përfaqësuara në Kuvend. kemi pasë ose refuzime për të ulur dhe për të biseduar ose takime të cilat nuk kanë dhënë rezultate, pra refuzim total për të lëvizur nga ky pozicion. Përpjekja jonë e fundit është votimi i fshehtë, pra një mundësi që vullnetet të jenë totalisht të lira,” deklaroi Çeku.