Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë lajmin se shumë shpejt nga aeroporti i Kukësit do të fillojë operimin një kompani e re ajrore shqiptare, me emrin “Air Kosova”.
Gjatë një deklarate publike, Rama u shpreh se kjo kompani pritet të jetë “akullthyesi” që do të dëshmojë se aeroporti i Kukësit ka potencial për zhvillim dhe funksionim të qëndrueshëm, duke sfiduar skepticizmin e atyre që e kanë cilësuar projektin si propagandë.
“Ai aeroport ka pasur sfidë më vete për sigurimin e operatorëve, ka problematikë me korridorin e uljes, nuk është aeroport i thjeshtë. Nuk është gjetur në kohë një ‘akullthyes’ që do të dëshmojë se ai aeroport ia vlen”, theksoi kryeministri.
Sipas tij, “Air Kosova”, që është regjistruar që në janar të këtij viti, është aktualisht në proces të sigurimit të avionëve dhe po përgatitet për të nisur operimin. Kompania do të fillojë me dy avionë, të cilët Rama i quajti “të krenarisë sonë të përbashkët”.
Ai u tregua i kujdesshëm për të mos shpallur një datë të saktë të nisjes së fluturimeve, duke thënë:
“Nuk do të jap datë sepse kam mësuar që këto datat që jap unë fusin brenda syrin e keq”.
Me këtë nismë, pritet që aeroporti i Kukësit të marrë jetë pas një periudhe sfidash dhe mungese të fluturimeve të rregullta, duke ofruar më shumë mundësi udhëtimi për qytetarët e veriut të Shqipërisë dhe më gjerë.