Në një ceremoni solemne, Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka uruar personalisht anëtarët e stafit civil të cilët kanë arritur 25 vite shërbim të përkushtuar në këtë mision.
Gjatë fjalës së tij, gjeneral Barduani shprehu mirënjohjen në emër të vet dhe të gjithë Forcës së Kosovës për kontributin thelbësor të stafit civil në funksione të ndryshme mbështetëse, përfshirë financat, logjistikën, komunikimin dhe teknologjinë, burimet njerëzore dhe administratën e përgjithshme.
Ai theksoi se sinergjia ndërmjet komponentëve civilë dhe ushtarakë ka qenë dhe mbetet kyçe për përmbushjen e misionit të KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon.
Misioni i KFOR-it, i themeluar në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vazhdon të angazhohet për një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë. Në këtë drejtim, KFOR-i bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in në përmbushjen e roleve përkatëse të sigurisë.