Komuna e Prizrenit nënshkruan marrëveshje me “Jetimat e Ballkanit” për ndërtimin e një kompleksi modern në shërbim të komunitetit

by engel

Komuna e Prizrenit ka zyrtarizuar sot një projekt madhor në shërbim të komunitetit, përmes nënshkrimit të një Marrëveshjeje Bashkëpunimi me OJQ-në Shoqata “Jetimat e Ballkanit”, e cila ka selinë në këtë qytet. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Komuna përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook.

Kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, ka firmosur marrëveshjen që parasheh dhënien në shfrytëzim të një parcele komunale, çështje kjo që tashmë është miratuar edhe nga Kuvendi Komunal i Prizrenit.

banner

Në këtë pronë do të ndërtohet një kompleks modern me sipërfaqe mbi 7.000 metra katrorë, i cili do të përfshijë:

Qendër ditore për të moshuar
Kuzhinë humanitare për familjet në nevojë
Bujtinë për studentë
Amfiteatër për ngjarje kulturore
Selinë qendrore të Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”

Ky projekt synon të ofrojë një gamë të gjerë shërbimesh sociale dhe kulturore për banorët e Prizrenit dhe më gjerë, duke fuqizuar ndihmën për shtresat më të ndjeshme të shoqërisë.

“Përveç këtij projekti të madh dhe të rëndësishëm për komunitetin, me humanistin Halil Kastrati, që tashmë e ka dëshmuar duke ndihmuar shumë familje në tërë rajonin, do të bashkëpunojmë në vazhdimësi në të ardhmen, në të mirë të interesit publik,” deklaroi Kryetari Totaj pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Shoqata “Jetimat e Ballkanit”, e udhëhequr nga Halil Kastrati, është e njohur për kontributin e saj të vazhdueshëm në ndihmë të familjeve në nevojë, jetimëve dhe kategorive të tjera të margjinalizuara në mbarë rajonin e Ballkanit.

Ky kompleks pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm social dhe humanitar, duke e shndërruar parcelën komunale në një qendër gjithëpërfshirëse në funksion të komunitetit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy