Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, do të vizitojë Ballkanin Perëndimor gjatë javës së ardhshme mes datave 12 dhe 16 maj, ku do të takohet me udhëheqësit politikë të partnerëve të Ballkanit Perëndimor, si dhe për të bashkëpritur samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Tiranë, i cili do të zhvillohet më 16 maj 2025.
Gjatë kësaj kohe, Costa pritet të theksojë rëndësinë e ndërtimit mbi vrullin e ri në procesin e zgjerimit dhe në marrëdhëniet BE–Ballkani Perëndimor.
“Forcimi i bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor është një përparësi e lartë politike për BE-në dhe për mua personalisht. Po vizitoj rajonin për të diskutuar me udhëheqësit mbi sfidat që vazhdojnë të jenë të pranishme dhe për të treguar se BE-ja është e gatshme të ndihmojë. Ekziston një vrull i qartë për zgjerimin – por vrulli ka nevojë për përkushtim dhe veprim konkret”, ka thënë Costa.
Costa do të vizitojë gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor, duke filluar zyrtarisht nga Beogradi të martën, më 13 maj. Ai do të takohet me presidentin Vuçiç, kryeministren Macut dhe deputetë të Parlamentit
Po atë ditë do të udhëtojë në Sarajevë ku do t’u drejtohet trupave të misionit EUFOR Althea dhe do të takohet me anëtarët e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës.
Të mërkurën, më 14 maj, Presidenti Costa do të mbërrijë në Podgoricë për takime me Presidentin Milatoviç, Kryeministrin Spajiç dhe anëtarë të tjerë të qeverisë.
Në të njëjtën datë, pra me 14 maj, është paraparë që ai do të zhvillojë vizitë edhe në Kosovë, ku pritet të takohet me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu.
Të enjten, më 15 maj, Presidenti Costa do të udhëtojë në Shkup për takime me Kryeministrin Mickoski dhe Presidenten Siljanovska-Davkova.
Ndalimi i tij i fundit në Ballkanin Perëndimor do të jetë në Tiranë, ku më 15 maj do të takohet me Kryeministrin Rama dhe Presidentin Begaj, si dhe do të marrë pjesë në një takim me studentët e Kolegjit të Evropës
Të premten, më 16 maj, Presidenti Costa do të bashkëpresë samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Tiranë. Takimet e EPC-së mbledhin së bashku vendet e kontinentit evropian dhe ofrojnë një platformë për koordinim më të thellë politik. Tema e këtij samiti është: “Evropa e Re në një Botë të Re: Unitet – Bashkëpunim – Veprim i Përbashkët.” Takimi do të fokusohet në çështjet e sigurisë dhe udhëheqësit do të ndajnë vizionin e tyre për të ardhmen e Evropës, ndjekur nga tre tryeza tematike.
Në njoftimin që është bërë nëfaqen e Këshillit Evropian, është treguar edhe orari i konferencave që Costa do të zhvillojë.
Ai do të mbajë konferenca të përbashkëta për shtyp në të gjashtë kryeqytetet që do të vizitojë.
Orari orientues (të gjitha oraret sipas kohës lokale):
E martë, 13 maj
🕤 09:30 – Konferencë e përbashkët për shtyp me Presidentin Vuçiç
Vendndodhja: Pallati i Serbisë, Beograd
🕔 17:20 – Konferencë e përbashkët për shtyp me Presidencën e Bosnje dhe Hercegovinës
Vendndodhja: Presidenca e BiH, Sarajevë
E mërkurë, 14 maj
🕚 11:15 – Konferencë e përbashkët për shtyp me Presidentin Milatoviç
Vendndodhja: Vila Gorica, Podgoricë
🕟 16:45 – Konferencë e përbashkët për shtyp me Presidenten Osmani
Vendndodhja: Prishtinë
E enjte, 15 maj
🕚 11:15 – Konferencë e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Mickoski
Vendndodhja: Shkup
🕟 16:40 – Konferencë e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Rama
Vendndodhja: Tiranë