Analisti Agon Maliqi ka reaguar përmes një postimi në Facebook ku kritikon mënyrën se si dy liderë të rëndësishëm të rajonit – kryeministri i Kosovës dhe ai i Shqipërisë – e trajtojnë median dhe gazetarët.
Maliqi shprehet i shqetësuar për mungesën e përballjes me kritikat, duke e konsideruar si problematikë të thellë të kulturës demokratike.
“Nuk e di cili model i trajtimit të mediave është më i keq. Ky i kryeministrit të Kosovës, që i shmang përballjet me mediat kritike krejtësisht, apo ky i kryeministrit të Shqipërisë, që pranon të përballet por i trajton gazetarët me një poshtërim, nënçmim dhe bullizim të padenjë për çfarëdo figure publike, e lëre më për kryeministër,” shkruan ai.
Sipas Maliqit, në të dy rastet, mënyra se si pushtetarët reagojnë ndaj kritikës publike “ta kujton egon e brishtë të fëmijës” dhe zbulon “mungesë elementare të kulturës demokratike”.