Prishtinë – Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur mirënjohje të thellë ndaj Mbretërisë së Arabisë Saudite për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë vendit tonë ndër vite.
Këto komente, Kurti i bëri gjatë një takimi të zhvilluar në objektin e Qeverisë me imamin e Qabesë, Bandar Baleela, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Kosovë. Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore, ku u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet dy vendeve dhe potencialin për bashkëpunim të mëtejshëm.
“Duke diskutuar rreth marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite, u theksua se raportet dypalëshe po zhvillohen gjithnjë e më shumë,” thuhet në njoftimin zyrtar të Zyrës së Kryeministrit. Në këtë kuadër, Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë për të afruar më shumë popujt përmes bashkëpunimit në fusha kyçe si turizmi, arsimi, ekonomia dhe kultura.
Vizita e imamit të Qabesë, një nga figurat më të rëndësishme fetare në botën islame, vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve shpirtërore dhe diplomatike mes Kosovës dhe Arabisë Saudite.
Ky takim përforcon edhe një herë lidhjet e ngrohta dhe respektin reciprok që ekziston mes dy vendeve, me një fokus të qartë në zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët.