Prishtinë – Nën shoqërimin e Kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. Tërnava, imami i Qabesë, shejh Dr. Bandar Baleela, është takuar me Kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë.
Gjatë takimit, u diskutua për zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite, ku u theksua se raportet dypalëshe janë në rritje të vazhdueshme dhe po marrin një dimension të ri përmes bashkëpunimit konkret.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij dhe të popullit të Kosovës për mbështetjen që Arabia Saudite ka ofruar ndaj Kosovës në periudhat më të vështira, si dhe për kontributin e vazhdueshëm në sfera të ndryshme. Ai theksoi përkushtimin e qeverisë për të afruar më shumë popujt përmes bashkëpunimit në fusha të tilla si turizmi, arsimi, ekonomia dhe kultura.
Në këtë frymë bashkëpunimi, Kurti kujtoi edhe marrëveshjen për fluturime direkte mes Kosovës dhe Arabisë Saudite, e nënshkruar vitin e kaluar, si një hap domethënës drejt lehtësimit të shkëmbimeve dhe afrim të ndërsjellë ndërmjet dy vendeve.
Imami i Qabesë, Dr. Baleela, po qëndron në Kosovë me ftesë të Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava. Ai është mysafir nderi në Garat Ndërkombëtare të Kuranit që po mbahen në Kosovë dhe ka vizituar disa xhami në vend, ku është pritur me entuziazëm dhe respekt nga besimtarë të shumtë.
Kjo vizitë konsiderohet si një moment i rëndësishëm për marrëdhëniet ndërmjet institucioneve fetare dhe shtetërore të të dy vendeve, duke forcuar lidhjet shpirtërore dhe diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Arabisë Saudite.