Tensionet mes Indisë dhe Pakistanit kanë arritur një nivel të ri shqetësues pas raportimeve për sulme të ndërsjella ajrore dhe përdorim të raketave balistike.
Një zëdhënës i ushtrisë pakistaneze deklaroi se avionët luftarakë indianë kanë goditur me raketa ajër-tokë tre baza ajrore në Pakistan – Noor Khan, Murid dhe Sorkot – pa shkaktuar viktima apo dëme të mëdha materiale.
“India tani duhet të presë përgjigjen tonë”, paralajmëroi zëdhënësi pakistanez. Pak pas kësaj deklarate, televizioni shtetëror njoftoi nisjen e hakmarrjes nga ana e ushtrisë pakistaneze.
Ndërkohë, dhjetë shpërthime janë dëgjuar pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Srinagarit në Kashmirin e administruar nga India, të cilat u shoqëruan me ndërprerje të energjisë elektrike në qytetin Jammu.
Situata u përshkallëzua më tej kur, sipas një zëdhënësi ushtarak pakistanez, India lëshoi gjashtë raketa balistike nga Ishujt Andaman dhe Nikobar. Pesë prej tyre goditën qytetin Amritsar në shtetin indian të Punjabit, ndërsa një tjetër ra në vetë ishujt nga ku u lëshua. Këto pretendime janë konsideruar nga Pakistani si një “provokim ekstrem dhe pa logjikë”.
Agjencia e lajmeve Reuters konfirmoi se dëshmitarë në Amritsar raportuan shpërthime në zonë. Për pasojë, Pakistani ka mbyllur hapësirën e tij ajrore për të gjitha fluturimet civile deri në mesditë të së shtunës.
Vendet anëtare të G7-ës kanë bërë thirrje për përmbajtje maksimale dhe ç’tensionim të menjëhershëm, ndërsa përballja më e rëndë në dekada mes dy fuqive bërthamore ka shkaktuar deri tani mbi 50 viktima civile nga të dyja palët.