Fituesit janë borxhlinjtë më të mëdhenj të popullit

by engel

Nga: Engelbert Zefaj, Profesor Universitar

“Nuk i kemi askujt asnjë borxh.” Këto fjalë të Kryeministrit Albin Kurti, të shqiptuara në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje më 10 maj, janë më shumë se një qëndrim politik — janë një shpallje e shkëputjes nga përgjegjësia morale dhe institucionale. Por më shqetësues është fakti se këto fjalë janë thënë jo në një tubim të mbyllur partie, por në mjediset e Universitetit të Prishtinës, të cilat deri më 7 maj 2025 nuk lejonin mbajtjen e aktiviteteve partiake. Ky ndryshim i papritur rregullash e bën më të lehtë të shihet dora e pushtetit në institucione që duhet të qëndrojnë neutrale — dhe tregon se nuk po flasim për “çlirim nga borxhi”, por për deformim të normës.

banner

Duartrokitjet e asaj mbledhjeje nuk ishin për një program të ri qeverisës, as për ndonjë arritje të jashtëzakonshme. Ishin për një logjikë të re, sipas së cilës fitorja i zhbën të gjitha detyrimet. Kush fiton, sipas Kurtit, nuk i ka më askujt borxh — përkundrazi, të tjerët duhet të rreshtohen pas tij dhe t’ia pranojnë çdo plan, ndryshe shpallen sabotues të shtetit.

Kjo nuk është demokraci. Kjo është arrogancë politike.

Në fakt, nëse dikush ka borxhe ndaj qytetarëve, është pikërisht ai që fiton. Sepse ai ka premtuar. Sepse ai ka marrë votën për të ndryshuar, për të ndërtuar, për të zhvilluar. Sepse ai është zgjedhur për të mbajtur fjalën.

Albin Kurti ka premtuar institucione funksionale, integrim ndërkombëtar, reforma sociale, infrastrukturë, drejtësi, siguri dhe zhvillim ekonomik. Asnjë nga këto nuk mund të realizohet pa institucione të konsoliduara, pa bashkëpunim politik dhe pa ndjeshmëri ndaj sfidave reale të qytetarëve. Moskrijimi i institucioneve është borxhi i parë dhe më i dukshëm i Kurtit sot — dhe ai nuk mund t’ua kalojë këtë faturë të tjerëve.

Në opozitë, Kurti fliste për borxhin e fitores. Kërkonte llogari. E sulmonte pushtetin me çdo mjet. Sot, në pushtet, ai dëshiron të jetë i pakontestueshëm, pa borxhe dhe pa pyetje. Por logjika nuk ndryshon me postin. Borxhet e fitores janë të njëjta, pavarësisht nëse je në opozitë apo në qeveri.

Dështimi për të gjetur partnerë për krijimin e institucioneve është borxh. Dështimi për të çuar përpara reformat e premtuara është borxh. Dështimi për të ruajtur integritetin e institucioneve arsimore nga ndikimi politik është borxh. Dhe mbi të gjitha, mohimi i këtyre borxheve është mashtrim ndaj qytetarëve që të votuan me shpresë.

Kjo kolumnë nuk është për të kujtuar thjesht se qeveria ka detyrime. Është për të rikujtuar se arroganca politike është forma më e rrezikshme e borxhit – sepse nuk lyp vetëm harresën e premtimeve, por edhe heshtjen e qytetarëve.

Nuk ka pushtet pa përgjegjësi. Nuk ka fitore pa llogari. Dhe nuk ka borxh më të madh se ai ndaj popullit që të ka dhënë besimin.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy