Ndryshe nga vitet e tjera kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta kësaj here ka votuar në burgun e Fierit.
“Unë sapo votova sepse sot është një ditë historike për të gjithë ju dhe për Shqipërinë tonë!”, u shpreh Meta në një postim të publikuar në Facebook menjëherë pas votimit.
Ai ka bërë të ditur se kishte rënë dakord me administratën për të votuar në orën 10:00, në prani të mediave, por sipas tij, ato nuk janë lejuar të hyjnë në qendrën e votimit pas njoftimeve se Meta kishte dalë i veshur kuq e zi.
“Në respekt të interesimit të mediave… isha dakordësuar prej dy ditësh me administratën që të votoja në orën 10:00. Por sapo patronazhistët njoftuan se unë dola i veshur Kuq e Zi… gazetarët nuk u lejuan të hynin në qendrën e votimit”, deklaroi ai
Meta sulmoi ashpër qeverinë, të cilën e quajti “narkoregjim”, dhe u shpreh se ngjyrat kuq e zi janë kthyer në simbol frike për ata që sipas tij kanë frikë nga liria dhe vota e lirë.
“Kreu i Organizatës tmerrohet nga ngjyrat Kuq e Zi, në veçanti nga ato të Ilir Metës, sepse i kujtojnë mbrojtjen e Kushtetutës dhe kufijve të Kosovës”, tha Meta.
Në fund, ai u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të marrin pjesë në votim për të sjellë ndryshimin.
“Ndryshon vetëm ai popull që lufton dhe voton! Ne jemi popull shqiponjash dhe sot është koha për ta dëshmuar si kurrë më parë,” përfundoi ai.