Carlo Ancelotti është zyrtarisht trajneri i ri i Kombëtares së Brazilit. Trajneri aktual i Real Madridit do të marrë drejtimin e pesë herë kampionëve të botës duke nisur nga qershori i këtij viti.
Federata Braziliane e Futbollit (CBF) e bëri zyrtare marrëveshjen me trajnerin italian, duke konfirmuar se ai do të jetë në krye të “Seleçaos” pas përfundimit të sezonit aktual me Real Madridin
Vendimi për të emëruar Ancelottin vjen si pjesë e një strategjie ambicioze nga ana e Brazilit për të rikthyer lavdinë e dikurshme në arenën ndërkombëtare, sidomos pas disa dështimeve radhazi në Kupën e Botës.
Presidenti i CBF-së, Ednaldo Rodrigues, shprehu entuziazmin e tij për këtë bashkëpunim historik, duke e quajtur trajnerin italian një prej më të mëdhenjve në historinë e futbollit botëror.
“Sjellja e Carlo Ancelottit në krye të Brazilit është më shumë sesa një vendim strategjik. Është një deklaratë për botën e vendosmërisë sonë për të rifituar vendin e parë në podium”, tha Rodrigues.
Ai shtoi më tej: “Ai është trajneri më i madh në histori dhe tani ai drejton ekipin më të mirë kombëtar në planet. Së bashku, ne do të shkruajmë kapituj të rinj të lavdishëm për futbollin brazilian.”
Ancelotti do të bëhet trajneri i parë evropian që drejton Brazilin në më shumë se 60 vite, duke sjellë përvojën dhe suksesin e tij të jashtëzakonshëm në klubet më të mëdha evropiane në shërbim të një kombëtareje me histori të pasur