Analisti Ehat Miftaraj ka reaguar sërish, këtë herë duke kritikuar ndryshimin e sjelljes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Ai ka vërejtur se në vend të fokusimit në krijimin e institucioneve dhe adresimin e çështjeve të rëndësishme për qytetarët, deputetët po shfaqen me veshje moderne, duke e kthyer Kuvendin e Kosovës në një sfilatë mode.
Sipas Miftarajt, deputetët e VV i kanë “dhënë fund fukarallëkut”, duke u paraqitur me garderobë firmato. Ai ka theksuar se Kuvendi po shndërrohet më tepër në një hapësirë për reklamimin e markave të veshjeve sesa një institucion ku diskutohen problemet e qytetarëve që i kanë votuar.
Në reagimin e tij, Miftaraj ka kritikuar mungesën e diskutimeve të deputetëve për temat kyçe si varfëria, rritja e çmimeve të energjisë, bukës dhe qumështit, duke shtuar se jeta e vështirë në Kosovë nuk po gjen vend në debatin parlamentar.
Ai ka shtuar se një klasë politike që jeton mirë nga buxheti i popullit nuk e ndjen dhe nuk e kupton hallet e qytetarëve, duke ngritur shqetësimin për largësinë mes përfaqësuesve politikë dhe realitetit të jetës së qytetarëve.
Ky reagim i Miftarajt vjen në një kohë kur diskutimet mbi gjendjen socio-ekonomike në vend janë intensifikuar, me një pjesë të qytetarëve që kërkojnë më shumë angazhim dhe përgjegjësi nga përfaqësuesit e tyre në Kuvend.