Kosova mbetet jashtë agjendës së Këshillit të Evropës, pavarësisht përmbushjes së të gjitha standardeve. Kështu është shprehur zëvendësministri në detyrë i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti.
Ai tha se përkundër faktit se ka përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësim, Kosova nuk është përfshirë në agjendën e ministerialit të Këshillit të Evropës që po mbahet më 13 dhe 14 maj në Luksemburg.
“Aplikimi për anëtarësim u dorëzua në maj të vitit 2022, dhe që nga ajo kohë procedurat kanë ndjekur rrjedhën formale të organizatës. Në shtator të po atij viti, “Departamenti Ligjor i Këshillit të Evropës dha opinionin e qartë se Republika e Kosovës nuk ka asnjë pengesë ligjore për t’u bërë anëtare e plotë”, ka shkruar Ahmeti
Ahmeti tutje shtoi se në prill 2023, Komiteti i Ministrave pranoi aplikimin me mbi dy të tretat e votave dhe e përcolli atë për shqyrtim në Asamblenë Parlamentare.
Pas një viti vlerësimesh, në nëntor 2023, raporti i Juristëve Eminent vlerësoi se “legjislacioni i Republikës së Kosovës është në nivelin e standardeve ndërkombëtare, madje, në disa fusha, siç janë të drejtat e pakicave, shkon përtej tyre”.
Ahmeti tutje theksoi se raportuesja Dora Bakoyannis, në prill 2024, paraqiti raportin përfundimtar duke deklaruar se “Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e anëtarësimit dhe se duhet të ftohet sa më parë si anëtare e plotë e Këshillit të Evropës”. Raporti u miratua me mbi 80% të votave në favor në Asamblenë Parlamentare.
Përkundër këtij miratimi të qartë, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë ende një vendim, çka është cilësuar si një “vonese e paarsyeshme në adresimin e opinionit të saj për Kosovën”.
“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të realizohet për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve të saj dhe jo të trajtohet si mjet pazari apo levë presioni,” ka shkruar Ahmeti, duke paralajmëruar për ndikimet gjeopolitike të vonesave, në dritën e kontakteve të fundit mes udhëheqësve serbë dhe presidentit rus Vladimir Putin.
Megjithatë, zëvendësministri i jashtëm në detyrë theksoi “procesi i anëtarësimit është i pakthyeshëm” dhe përpjekjet do të vazhdojnë në komunikim të ngushtë me shtetet anëtare për të siguruar pranimin e Kosovës si anëtare e 47-të e Këshillit të Evropës