Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde, me të cilin kanë diskutuar rreth krizës institucionale dhe ndikimin që ka ajo në funksionimin e rregullt të institucioneve,
Në njoftim bëhet e ditur se i pari i LDK-së e ka njoftuar Rohden për propozimin që ka bërë kjo parti për themelimin e një qeverie nacionale të tranzicionit.
‘‘Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në Selinë Qendrore ambasadorin e Gjermanisë, z. Jörn Rohde.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë mbi krizën institucionale dhe ndikimin e saj në funksionimin e rregullt të institucioneve demokratike.
Kryetari Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Rohde mbi propozimin e LDK-së për themelimin e një Qeverie Nacionale të Tranzicionit, si një zgjidhje e përkohshme, por e domosdoshme për të tejkaluar ngërçin aktual dhe për të kthyer funksionalitetin e shtetit’’, thuhet në njoftim.
Tutje, theksohet edhe se, Abdixhiku ka deklaruar se bllokada e krijuar është e papranueshme, dhe se situata e tillë e cenon mirëqenien e qytetarëve.
‘‘Në këtë kontekst, kryetari Abdixhiku ritheksoi qëndrimin e LDK-së se bllokada politike dhe institucionale është e papranueshme, duke nënvizuar se një situatë e tillë cenon drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve dhe pengon rrjedhën normale të proceseve shtetërore si dhe zhvillimin institucional të vendit’’, thuhet aty.
Po ashtu, kryetar i LDK-së ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë dhe vazhdon të ia japë Kosovës.
‘‘Gjatë këtij takimi kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Republikës së Kosovës, veçanërisht në proceset integruese, forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe u rikonfirmua bashkëpunimi i ndërsjellë në mes të dyja vendeve dhe përkushtimi drejt avancimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi’’, thuhet në njoftim.