Prishtinë, 14 maj 2025 – Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka mirëpritur në një takim zyrtar këtë mëngjes kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova. Takimi është zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit.
Në një postim në Facebook, ambasadori Hargreaves theksoi rëndësinë e themelimit të kësaj gjykate në vitin 2016, duke e cilësuar atë si dëshmi të angazhimit të Kosovës për zbardhjen e të vërtetës dhe ofrimin e drejtësisë për të gjitha viktimat e luftës.
“Me themelimin e kësaj gjykate, Kosova demonstroi angazhimin e saj për të përcaktuar të vërtetën dhe për të ofruar drejtësi për të gjitha viktimat,” shkroi Hargreaves.
Ai shtoi se Mbretëria e Bashkuar ka qenë dhe mbetet një partner i fortë i Kosovës, duke kujtuar mbështetjen gjatë vitit 1999 dhe duke theksuar vazhdimësinë e kësaj mbështetjeje për sundimin e ligjit dhe funksionimin e drejtë të institucioneve të drejtësisë.
“Ashtu siç Mbretëria e Bashkuar mbështeti Kosovën në vitin 1999, ne vazhdojmë të mbështesim sundimin e ligjit në Kosovë dhe pavarësinë e Dhomave të Specializuara si një pjesë integrale të sistemit të saj ligjor,” u shpreh ai.
Ambasadori britanik nënvizoi gjithashtu rëndësinë e komunikimit të hapur të gjykatës me qytetarët e Kosovës, pavarësisht ndjeshmërisë së mandatit që mban. “E vërteta dhe drejtësia duhet të triumfojnë,” përfundoi ai.
Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale me seli në Hagë, janë themeluar për të trajtuar krime të pretenduara të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë, dhe funksionojnë si pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, me mbështetje ndërkombëtare.