Avokati i Popullit ngre shqetësime për punën e Dhomave të Specializuara në takim me Ekaterina Trendafilova

by informim peje

Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, Naim Qelaj, ka zhvilluar një takim me Kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ku ka ngritur një sërë shqetësimesh të rëndësishme lidhur me funksionimin dhe standardet e kësaj gjykate.

Sipas një komunikate të këtij institucioni, në fokus të diskutimit ishin garantimi i një gjykimi të drejtë dhe i paanshëm sipas standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, barazia e palëve në procedurë, si dhe mënyra e sigurimit dhe përdorimit të provave, sidomos ato të siguruara nga Republika e Serbisë.

banner

Qelaj thuhet se vuri në pah dyshimet mbi besueshmërinë e këtyre provave, duke theksuar se qëndrimi i shtetit serb ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të ndikojë në kredibilitetin dhe objektivitetin e materialeve të paraqitura në gjykatë.

Një tjetër çështje e ngritur sipas komunikates, ishte struktura e centralizuar e Dhomave të Specializuara, e cila sipas tij mund të cenojë pavarësinë e shkallëve të ndryshme gjyqësore dhe të drejtat për mjete efektive juridike. Ai theksoi se vendosja e Dhomës Kushtetuese brenda kësaj strukture sfidon ndarjen e pushteteve dhe vlerësoi se kjo nuk përputhet me frymën e standardeve ndërkombëtare.

“Avokati i Popullit ngriti shqetësime edhe për rolin e tij brenda kësaj strukture, duke vlerësuar se kjo bie ndesh me Parimet e Parisit, që kërkojnë që ky institucion të jetë plotësisht i pavarur dhe i pandikuar nga ndonjë autoritet tjetër”, thuhet në komumikatë.

Ndër shqetësimet tjera të përmendura ishte edhe praktika e përgjimit të bisedave dhe vizitave në paraburgim, që sipas tij cenon privatësinë dhe mund të ndikojë në efektivitetin e mbrojtjes ligjore.

Qelaj kritikoi gjithashtu kohëzgjatjen e gjatë të paraburgimit dhe mungesën e alternativave të tjera, duke vënë në dyshim besimin e Gjykatës ndaj institucioneve të Kosovës për zbatimin e masave alternative.

Në takim u theksua edhe çështja e kompensimit të viktimave, duke vënë në dukje trajtimin e pabarabartë në raport me rastet që gjykohen në Kosovë, çka sipas Avokatit të Popullit cenon parimin e barazisë përpara ligjit.

Në përmbyllje, Qelaj theksoi nevojën për më shumë transparencë dhe informim të publikut në lidhje me punën e Dhomave të Specializuara dhe shqetësimet që prekin të drejtat themelore të njeriut. Ai u zotua se Institucioni i Avokatit të Popullit do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të pavarur dhe të ngris zërin sa herë që cenohen të drejtat e qytetarëve.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy