Podgoricë, 14 maj 2025 – Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Antonio Costa, gjatë një vizite zyrtare në Mal të Zi, deklaroi se zgjerimi i BE-së përbën një investim strategjik në stabilitetin, paqen dhe prosperitetin e kontinentit. Ai theksoi se Mali i Zi ka potencialin të bëhet anëtari i 28-të i BE-së deri në vitin 2028, nëse përparimi aktual vazhdon.
“Zgjerimi i Bashkimit Evropian është një investim strategjik. Slogani ‘28 deri në vitin 2028’ është shkëlqyeshëm, por do të ishte edhe më mirë nëse arrihet më herët,” tha Costa, duke e përshkruar progresin e Malit të Zi në procesin e integrimit si “mbresëlënës”.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, e cilësoi këtë vizitë si një moment kyç për ambiciet evropiane të vendit të tij. “Ardhja juaj konfirmon se perspektiva evropiane e Malit të Zi mbetet lart në agjendën e BE-së. Ne mund të jemi drita në fund të tunelit dhe dëshmi se procesi i zgjerimit është ende gjallë,” deklaroi ai.
Millatoviq shtoi se Mali i Zi synon të shërbejë si një histori suksesi në rrugën drejt BE-së. Që nga nisja e negociatave për anëtarësim në vitin 2012, Podgorica ka hapur të gjithë kapitujt e nevojshëm dhe ka mbyllur përkohësisht tre prej tyre. Pas një periudhe ngecjeje, procesi rifilloi në qershorin e kaluar me intensitet të shtuar.
Në deklaratat e tij, Costa theksoi edhe rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe respektimin e kritereve të BE-së në marrëveshjet ndërkombëtare, duke iu referuar shqetësimeve për marrëveshjen e Malit të Zi me Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Marrëveshjet ndërkombëtare duhet të jenë në përputhje me legjislacionin evropian, veçanërisht në fushat e prokurimit publik dhe mbrojtjes së mjedisit,” tha ai.
Kujtojmë se së fundmi Kuvendi i Malit të Zi miratoi me procedurë të përshpejtuar dy marrëveshje me Emiratet e Bashkuara – për bashkëpunim ekonomik dhe për zhvillim turistik. Por presidenti Millatoviq ka kthyer për rishqyrtim marrëveshjen që parashihte dhënien me qira për 99 vjet të Plazhit të Madh në Ulqin kompanisë Emmar të biznesmenit Mohamed Alabbar, për ndërtimin e një kompleksi megaturistik.
Vizita e Costës vjen në një moment vendimtar për aspiratat evropiane të Malit të Zi dhe rikonfirmon mbështetjen e BE-së për integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.