Prishtinë, 14 maj 2025 – Komandanti i misionit të udhëhequr nga NATO në Kosovë, KFOR, Gjeneral Major Enrico Barduani, ka pritur sot në selinë e misionit në “Film City”, Prishtinë, Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të Gjermanisë (DEU), Gjeneral Leitnant Alexander Sollfrank.
Vizita e nivelit të lartë u fokusua në shkëmbimin e vlerësimeve për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe në rajonin më të gjerë. Të dy gjeneralët theksuan rëndësinë e ruajtjes së një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët në Kosovë.
Gjeneral Leitnant Sollfrank shprehu mirënjohjen për angazhimin e vazhdueshëm të KFOR-it në garantimin e paqes dhe stabilitetit, si dhe për mbështetjen që ky mision i NATO-s i jep procesit të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Nga ana e tij, Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Barduani, theksoi nevojën që dialogu të vazhdojë me frymë të re dhe vendosmëri, duke shtuar se kjo është çelësi për zgjidhjen e qëndrueshme të mosmarrëveshjeve dhe për një të ardhme më të sigurt për të gjithë rajonin.
Barduani falënderoi gjithashtu Gjermaninë për kontributin e saj afatgjatë në kuadër të KFOR-it dhe për rolin e saj të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
KFOR mbetet i përkushtuar për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të dhënë nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.