
Shkruan: Anton LULGJURAJ
Zgjedhjet në Shqipëri nuk ishin zgjedhje shprese, por zgjedhje që tregojnë plotësisht të kundërten. Ato tregojnë skenat e prapaskenat e errëta të politikës në Shqipëri. Shpirtëra të shitur, njerëz mediokër, pa bosht kurrizorë, helm, budallenj me mikrofon, ferr.
Pozita – Rama – personi që erdhi në pushtet në vitin 2013, për të treguar një nivel tjetër dhe për të zbuluar një Shqipëri para botës të cilën e kishte mbuluar pluhuri i korrupsionit dhe i mbytjes së edukimit rinorë. Zbatoi me përpikmëri planin që para 500 vitesh fliste Makiaveli, e që thoshte që “qëllimi justifikon mjetin”. (S)Edi Rama që për të ardhur në pushtet nuk la kriminel pa gjetë e pa i dhënë çfarë dëshironin ata, vetëm për vetëm që të bëhej kryeministër. U bë. Vazhdon të jetë. Me shokë dhe ministra në burg. Me drejtësi që na e bënë të tjerët e që mundohet ta marrë meritën vet (S)Edi Rama. Me Shqipëri të zbrazur. Me shqiptar të lodhur, pa dëshirën më të vogël për të hecë përpara. Nga Kryeministër që do duhej ta udhëheqte Shqipërinë duke i treguar Evropës se Shqipëria është “guri që ustallarët e hodhën jashtë” e duhet të bëhet gur këndi, ky çdo ditë e më tepër po e vret shpirtin dhe lirinë e shqiptarëve. Do kisha shumë për të thënë për këtë specie të rrezikshme për të ardhmen e shqiptarëve edhe pse besoj se fundi i tij do jetë i tmerrshëm! Por kjo mbetet për tu parë! Kaq për (S)Edi Ramën.
Opozita – Berisha – një tjetër tragjikomedi politike. Një person që ka treguar që kur është në pyejte interesi i tij personal është në gjëndje ta zhdukë Shqipërinë nga sipërfaqja e dheut. Bota perëndimore kërkonte që shqiptarët t’i hapnin sytë për këtë njeri, e për të tjerët si ky. Por fatkeqësisht, veprimet e Berishës (paktet djallëzore), që Berisha vlen më shumë se PD e Shqipëria u treguan shpesh nga ai. Ky nuk ishte Lideri i shpresës, por pronari i partisë kryesore opozitare. Ai që u tha shqiptarëve me vepra se ju jeni “askushi” para interesit tim personal. Po ikën me turp, pikërisht ashtu siç e kërkon vetë! Edhe për këtë do mund të flisja shumë, por ndoshta edhe nuk ia vlen tani.
Po Shqipëria? Ky komb i vuajtur, por i mbijetuar! Pse zgjodhe të mos jesh më e lirë? Apo nuk kujton më cfarë është liria? Dmth kur nuk kujton për dritën, edhe errësira t’është bërë natyrë! Pse e bëre të heshtë zërin që duhej ngjitur për të të shpëtuar nderin? Edhe sa kohë duhet të presësh njohjen e “profetit”? Pse po shndërrohesh në popull që nuk e pyet veten, por përsërit çfarë të tjerët thonë? Mjerë për atë vend ku njerëzit maten me sa shërbejnë, e jo me sa mendojnë! Mjerë për atë vend e atë popull ku besnikëria ndaj pushtetit ka vrarë dashurinë ndaj atdheut. Mjerë ai vend që lejon të humbasë e vërteta, sepse fillon e nderon ata që e fshehin atë! Kujdes që mos të lodheni nga shpresa, sepse mund të vendosni të jetoni pa ëndërr dhe kjo ju largon nga Krijuesi.
E megjithatë nuk ka komb në botë ku nuk ka shpresë. Sepse edhe në mes të kombit shqiptar, fle një zë. Një dritë që nuk është shuar, por që pret. Dhe kur dikush ta zgjojë këtë dritë, atëherë kombi ka nevojë që të kujtojë se kush është!
Sepse duke kujtuar se kush është do shpëtojë nga këta udhëheqësa që gjithë jetën i kanë thënë se është askushi!