Kryetarja e Partisë GUXO, Donika Gërvalla, ka njoftuar se kësaj force politike i është bashkuar ekonomisti nga Drenica, Fatos Geci.
Në njoftimin e saj, Gërvalla thekson se Geci është djali i vëllait të madh të familjes së njohur Geci, e njohur ndryshe edhe si “Shtatë Vëllezërit Geci”.
“Sot, në Partinë GUXO mirëpritëm Fatos Gecin, ekonomistin nga Drenica. Ai i bashkohet familjes sonë politike me guximin, idealizmin, patriotizmin dhe formimin institucional që e ka të rrënjosur në shpirt, si pasardhës i denjë i familjes fisnike dhe tradicionale të Bajraktarit të Llaushës, djali i vëllait të madh nga ‘Shtatë Vëllezërit Geci’,” shkruan Gërvalla.
Ajo shton se Fatos Geci është në përfundim të doktoraturës në ekonomi në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe ka përfituar tri bursa ndërkombëtare për studime doktorale në Universitetin Cote d’Azur në Francë.
Geci ka përvojë disa vjeçare në sektorin e financave, duke u angazhuar në analiza ekonomike, menaxhim financiar dhe politika zhvillimore.
“Duke ndjekur traditën e familjes së tij, e cila dha provimin më madhështor në shërbim të atdheut — nga rezistenca civile, tek lufta për çlirim përkrah Adem Jasharit, e deri te përpjekjet për shtetndërtim — Fatos Geci do të vazhdojë këtë rrugë në Partinë GUXO, trashëgimtaren e denjë të vizionit të Presidentit Ibrahim Rugova. Mirësevjen Fatos!” – përfundon shkrimi.