Kryeministri britanik Keir Starmer mbërriti sot në Tiranë në kuadër të një vizite zyrtare historike, e para e një kreu qeverie të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri. Ai u prit fillimisht nga Presidenti Bajram Begaj në Presidencë, ndërsa më pas zhvilloi një takim zyrtar me Kryeministrin Edi Rama, i shoqëruar nga një ceremoni mirëseardhjeje.
Gjatë vizitës, u firmosën dy marrëveshje mes dy qeverive: një për bashkëpunim industrial dhe eksporte nga ministri Pirro Vëngu, dhe tjetra për çështje me interes të përbashkët, përfshirë emigracionin, nga ministri Igli Hasani.
Starmer vizitoi edhe Muzeun e Forcave të Armatosura dhe Qendrën e Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Vizita e tij paraprin Samitin e Komunitetit Politik Evropian që mbahet të premten në Sheshin “Skënderbej”. Ndërkohë, të enjten në mbrëmje pritet një darkë joformale mes liderëve të BE, përfaqësuesve të Ballkanit Perëndimor dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Presidenti francez Emmanuel Macron do të qëndrojë edhe të shtunën për Samitin për të Ardhmen e Evropës dhe do të inaugurojë shkollën ‘Ecole 42’ në Tiranë