Kryeqyteti është mbushur me mbeturina, dhe kundërmimi i tyre nuk mjafton që t’i mobilizojë komunarët dhe kompaninë regjionale “Pastrimi” për të gjetur një zgjidhje për to.
Përplasjet mes dy palëve kanë qenë të vazhdueshme, ndërsa komuna po insiston që të angazhojë operatorë privatë për pastrimin e qytetit. Si rrjedhojë, bërlloku po vazhdon ta mbulojë komunën, dhe i pari i saj, Përparim Rama, po e akuzon ndërmarrjen “Pastrimi” për sabotim.
Mirëpo, nga kompania thonë se Rama duhet t’u ndihmojë financiarisht në vend se ta përdorë situatën për të bërë politikë.
Njohës të qeverisjes lokale flasin për një zinxhir institucional dhe menaxherial të dështuar.
“Situata me mbeturina është mjaft shqetësuese, dhe tashmë mbeturinat në Komunën e Prishtinës janë simbol i një sistemi që nuk funksionon. Edhe qëndrimi i kryetarit Rama, i cili flet për sabotim nga kompania e pastrimit, më duket se ai e ka politizuar edhe më tej këtë çështje”, ka thënë Valmir Ilazi, njohës i qeverisjes lokale.
Sipas Institutit GAP, me rastin duhet të merret edhe Prokuroria.
“Në lidhje me zhvillimet në Prishtinë, Prokuroria sot do të duhej t’i thërriste për intervistim të dyja palët, udhëheqësit e Prishtinës dhe ata të KRM ‘Pastrimi’, ngase pohimet ose aludimet e z. Rama janë serioze, pasi lidhen me sabotim, i cili nëse është i vërtetë, do të mund të shkaktonte epidemi, që i bie se një veprim i tillë ka rrezikuar interesat vitale të vendit, si shëndetin publik”, thuhet nga GAP.
Nën arsyetimin se gjendja me menaxhimin e mbeturinave nuk ishte përmirësuar, Përparim Rama një vit më parë kishte shkarkuar Ilirik Musliun e PDK-së nga detyra e drejtorit të Shërbimeve Publike. Teksa situata me mbeturinat nuk është përmirësuar as sot, Musliu ngre kritika ndaj komunarëve.
“Përgjegjësia është direkt te kryetari Rama, i cili mendoj se kjo nuk është shkencë, as nuk don ndonjë studim fizibiliteti, kjo do 30 minuta – një orë diskutim me ndërmarrjen, e cila është ndërmarrje e Komunës”, u shpreh Musliu.
Akuza se inatet politike mes qeverisjes komunale të LDK-së dhe funksionarëve të PDK-së po e rëndojnë situatën me mbeturinat, ka ngritur edhe opozita në Prishtinë.
“Ka inate politike, ka interesa ekonomike të dyja bashkë janë ato që kanë shkaktuar gjendjen. Ne e dimë që nuk ka pasur probleme të tilla sa ishin bashkë në koalicion PDK dhe LDK”, tha Feim Osmani, asamblist i LVV-së në Prishtinë.
Zyrtarë komunalë të LDK-së dhe ata udhëheqës të ndërmarrjes “Pastrimi”, të cilët janë ish-funksionarë të PDK-së, kanë akuzuar njëri-tjetrin se po bllokojnë kryeqytetin për shkaqe politike.
“Është komplet tendencioze, politik, qëllim keqe dhe më së shumti fatkeqësisht po pëson qytetari i kryeqytetit”, ka thënë Bekim Brestovci, drejtor i shërbimeve publike në Prishtinë.
“Ai po bën politikë, ai është i emëruar politik dhe nuk ka bazë ligjore”, ka thënë Petrit Reçica, kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes “Pastrimi”.
Me arsyetimin se kompania “Pastrimi” nuk ka kapacitet të operojë vetëm në menaxhimin e mbeturinave, Përparim Rama po insiston në kontraktimin e 5 operatorëve privatë. Megjithatë, nga kompania “Pastrimi” kanë akuzuar Ramën se po shpall tenderë të jashtëligjshëm për ta privatizuar këtë shërbim