Sot, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një seri takimesh me liderët e subjekteve politike për të adresuar sfidat e krijuara në Kuvendin e Kosovës.
Në orët e para të ditës, ajo u takua me drejtuesit e partive shqiptare, ku diskutoi mbi situatën aktuale dhe hapat e mundshëm për tejkalimin e bllokadës institucionale. Megjithatë, ky takim përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete.
Më vonë, Presidentja priti edhe përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në kuadër të një dialogu gjithëpërfshirës. Presidenca njoftoi se gjatë këtij takimi, Osmani dëgjoi perspektivat e përfaqësuesve të secilit komunitet lidhur me rrugën përpara për të siguruar funksionimin kushtetues të Kuvendit.
Presidentja ritheksoi se mbrojtja e rendit kushtetues dhe garantimi i funksionimit të institucioneve mbeten prioritete kyçe për stabilitetin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve. Në këtë kontekst, ajo ka shprehur mundësinë e kërkimit të një mendimi nga Gjykata Kushtetuese për zgjidhjen e kësaj situate.
Ndërsa kriza parlamentare mbetet e pazgjidhur, konsultimet e Presidentes me aktorët politikë vazhdojnë, duke synuar gjetjen e një rruge të përbashkët drejt funksionalizimit të Kuvendit të Kosovës.