Përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të Quint-it – Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara – si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, janë takuar këtë mëngjes me kryetarin e AGK’së, Xhemajl Rexha si dhe juristen për media, Flutura Kusari.
Takimi u fokusua në diskutimin e gjendjes aktuale të mediave dhe lirisë së shtypit në Kosovë, në një kohë kur raportimet për presione ndaj gazetarëve janë bërë gjithnjë e më të shpeshta.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, ndau detaje nga ky takim përmes një postimi në rrjetin social X, duke theksuar rëndësinë e gazetarisë së lirë dhe të pavarur si një shtyllë bazë e çdo sistemi demokratik.
“Gazetaria e lirë dhe e pavarur është një gur themeli i demokracisë dhe meriton të respektohet dhe mbrohet,” shkroi ambasadori Rohde, duke e shoqëruar mesazhin e tij me simbolet e vendeve përkatëse dhe të Kosovës.
