Prishtinë, 16 maj 2025 – Kryeshefi Ekzekutiv i ngrohtores publike Termokos, z. Fisnik Osmani, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin social Facebook mbi zhvillimet më të fundit në kuadër të transformimit të sistemit të energjisë termike në Prishtinë. Në fokus të këtij transformimi qëndron zgjerimi i rrjetit të ngrohjes, modernizimi i infrastrukturës dhe promovimi i energjisë së gjelbër.
“Po përmbushim të gjitha zotimet tona për transformimin e sistemit të energjisë termike në Prishtinë”, thekson Osmani në postimin e tij, duke shtuar se projekti Solar4Kosovo është një nga zotimet kryesore që është bërë bashkë me kryetarin e Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama.
Zgjerimi në 6 lagje të reja
Sipas njoftimit, përmes projektit Solar4Kosovo, rrjeti i ngrohjes do të shtrihet në:
Lagjen Lakrishte
Lagjen Tophane
Dy zona të lagjes Kalabria
Qytetin e vjetër të Prishtinës
Një pjesë të lagjes Mahalla e Muhaxherëve
Ky zgjerim pritet të përfshijë 199 objekte banesore dhe të përfitojnë rreth 38 mijë qytetarë.
Fokus në tranzicionin e gjelbër
Osmani thekson se projekti do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët, në zvogëlimin e ndotjes dhe integrimin e energjisë së rinovueshme në sistemin qendror të ngrohjes.
“Termocentrali i ri dhe rrjeti i zgjeruar do të zvogëlojnë ndjeshëm emetimet e CO₂, do të përmirësojnë cilësinë e ajrit dhe do të kontribuojnë në zbutjen e ndryshimeve klimatike”, u shpreh ai.
Termokos si shembull i transformimit të qëndrueshëm
Nën drejtimin e Fisnik Osmanit, Termokos po konsolidohet si një ndërmarrje publike me qasje moderne dhe vizion të qartë drejt tranzicionit të qëndrueshëm energjetik. Projekti aktual përkon me përpjekjet e përgjithshme të institucioneve për të ndërtuar një Prishtinë të Gjelbër, që vendos në qendër cilësinë e jetës, inovacionin dhe përgjegjësinë mjedisore.
Në fund të njoftimit të tij, Osmani thekson se:
“Termokos, po i jep kuptim Prishtinës së Gjelbër!” – një moto që po merr gjithnjë e më shumë formë në realitetin urban të kryeqytetit.