Prokuroria: Dënimi i Shalës është pasqyrë e peshës së krimeve të tij

by Nexhat

Përfaqësuesja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar gjatë seancës së Apelit ndaj Pjetër Shalës tha se dënimi i themelores ndaj tij është “pasqyrim i drejtë i peshës së krimeve të ti” dhe rolin që ai ka pasur në kryerjen e tyre.

“Dënimi i Shalës është pasqyrim i drejtë dhe i duhur i peshës së krimeve dhe rolin e tij në kryerjen e krimeve”, tha prokurorja.

banner

Ndërkohë që prokurorja fliste për viktimat dhe disa specifika në kushtet e ndalimit, seanca herë pas herë kalonte në përmbajtje të redaktuar ose edhe në private.

Prokurorja tha se ka shumë dëshmi që janë marrë gjatë gjykimit që përshkruajnë kushtet dhe pjesët e Fabrikës së Metalit në Kukës.

Ajo tha se provat dëshmojnë edhe ndalimin e 9 personave në kohën kur flet aktakuza.

Diçka që specifikoi prokurorja ishte se të gjithë ata që kanë punuar në uzinë e që kanë qenë dëshmitarë kanë deklaruar që nuk e kanë parë një objekt që ndodhej aty në të cilin provat tregojnë që kanë qenë të ndaluarit. Si rrjedhojë, ajo tha se dëshmitë e këtyre personave nuk kanë qenë të besueshme

“Nuk janë të besueshme për çështje faktike të thjeshta siç është për një pjesë e një godinë në Fabrikën e Metalit në Kukës”, tha ajo.

Gjatë ditës së sotme e cila pritet që të zgjasë më shumë se që ishte planifikuar, pritet të bëjnë parashtrime edhe mbrojtësi i viktimave e po ashtu në fund edhe mbrojtja.

Shala ka bërë ankesë kundër vendimit të Themelores në 14 pika apelimi andaj edhe te enjten është mbajtur seanca e parë në këtë çështje.

Mbrojtja tha se Shala më herët ka dhënë deklarata inkriminuese dhe atij nuk iu është ofruar ndihma juridike si e drejtë themelore. Si rrjedhojë, ata thanë se deklaratat e 2019-ës me ZPS-në e Shalës ishte e bazuar në deklaratat e mëhershme.

Mbrojtja tha se deklaratat e tij u përdorën si bazë që ai të shpallët fajtor për çka edhe iu shkaktua dëm i madh.

Përveç kësaj, mbrojtja pretendon se trupi gjykues ka gabuar juridikisht dhe faktikisht e po ashtu edhe kur e ka dhënë dënimin

Shala përmes mbrojtjes së tij parashtroi se iu është bërë kurth në këtë proces gjyqësor.

Ndërsa, prokurori Filippo De Minicis gjatë parashtrimeve të veta në Apel tha se ka prova të mjaftueshme të cilat i vërtetojnë krimet për të cilat Pjetër Shala është dënuar.

Madje, ai tha se trupi gjykues pati të drejtë kur nxori përfundimet e veta se Shala kishte synimin e drejtpërdrejtë për ta kryer vrasjen e viktimës së vrasjes së paligjshme që përmendet në aktakuzë.

Si rrjedhojë, ai parashtroi se ndaj Shalës është kryer gjykim i drejtë dhe transparent.

Ngjashëm si dje, Pjetër Shala është i pranishëm përmes videolidhjes.

Ndryshe, më 28 mars 025 është hedhur poshtë një kërkesë e mbrojtjes që në Apel të thirret Sokol Dobruna si dëshmitar i saj.

Në vendimin e saj, kryetarja e trupit gjykues, Michele Picard ka thënë se provat e propozuara nuk do të ndikonin në aktgjykimin ndaj Shalës në rast që ato do të ishin pranuar gjatë gjykimit në shkallë të parë, ku Shala u dënua me 18 vjet burgim për krime lufte.

Ndryshe, Pjetër Shala i përfaqësuar nga mbrojtja e tij, ka dorëzuar në Apel kërkesën kundër urdhrit për zhdëmtim që iu shqiptua më 29 nëntor 2024, i cili e obligonte që t’iu paguante viktimave 208 mijë euro.

Duke u mbështetur në pesë pika, Shala kërkon që të Paneli i Apelit ta pezullojë shqyrtimin e apelimit kundër këtij urdhri për zhdëmtim derisa të shqyrtohet apelimi për dënimin me 18 vjet burg, ndaj tij për krime lufte ose ta anulojë masën e dhënë dhe ta kthejë atë në rishqyrtim tek një trup gjykues tjetër.

Më 16 korrik, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim ku u konstatua se përtej dyshimeve të bazuara është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës. Ndërsa, aktualisht Shala është në proces të Apelit lidhur me këtë rast pasi që ka kërkuar mbrojtje të ligjshmërisë.

Shala u shpall fajtor për ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi

Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 kishte filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars 2023 kishte filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht kishte filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë./Betimi për Drejtësi

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy