Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka sjellë para liderëve evropianë një pjesë nga tradita shqiptare, duke cituar Kanunin e Lekë Dukagjinit.
“Kanuni ynë ka një kapitull të posaçëm për mikpritjen, dhe aty thuhet: ‘Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut’”, tha Rama, duke theksuar thellësinë e kësaj thënieje dhe ndikimin e saj historik.
Ai përmendi me krenari faktin që Shqipëria ishte një nga vendet e rralla në Evropë që në përfundim të Luftës së Dytë Botërore kishte më shumë hebrenj sesa në fillim të saj, falë mikpritjes dhe mbrojtjes që shqiptarët u dhanë atyre.
Duke mos lënë anash ironinë, Rama shtoi: “Ndër të gjitha këto gjëra që ne bëjmë për miq, të rëndësishme e kemi t’i ushqejmë mirë mysafirët dhe pavarësisht që thuhet se dreka asnjëherë s’është falas, sot do ta shikoni që është e kundërta sepse sa herë të vini në Shqipëri në çfarëdo cilësie do të jeni gjithmonë të mirëpritur dhe pas një ore do të rikthehemi që Evropa do të vazhdojë punën e saj”, tha Rama.