Rama në Samitin e Komunitetit Politik Evropian: “52% e shqiptarëve votuan për t’u bashkuar në BE”

by Nexhat

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi sot në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë se “mbi 52% e shqiptarëve votuan për Partinë Socialiste për anëtarësimin në Bashkimin Europian”.

Në fjalën drejtuar liderëve të pranishëm, Rama tha:“Është një nder i jashtëzakonshëm për të gjithë vendin dhe popullin shqiptar që t’ju mirëpres në këtë vend dhe në këtë shtëpi të ndërtuar enkas për samitin e Komunitetit Politik Europian”.

banner

Kryeministri theksoi se ndërtesa ku po zhvillohet samiti nuk është as e përkohshme dhe as e rëndomtë, por përfaqëson një ndërtim të mbushur me simbolikë për Shqipërinë dhe për të ardhmen e saj evropiane.

“Nuk jeni të rrethuar nga makthet e Europës në pikturën e Rilindjes dhe as nga zbrazëtia e një hapësire të përkohshme takimesh, por nga imagjinata e fëmijëve shqiptarë për Europën”, tha ai.

“Kjo ishte një zgjedhje e qartë për ne sepse ëndrrat e fëmijëve kurrë nuk mbahen peng nga mitet e së shkuarës. Në të kundërt, ato ëndërrojnë të ardhmen shumë të ngjashme, meqë ra fjala, me ëndrrat e etërve themelues të Europës”, vijoi Rama.

Ai theksoi se ky samit po mbahet në një moment të veçantë për Shqipërinë, ku, sipas tij, vendi ka mësuar ta shohë të shkuarën me sytë e së ardhmes dhe jo të ardhmen me sytë e së shkuarës.

“Në fakt mbërritja juaj vijon një fushatë zgjedhore ku Europa ka qenë më e pranishme se kurrë, jo si një çështje që krijon ndasi, por si një deklaratë e përbashkët dhe pretendim i përbashkët identiteti. Jo si një listë politikash por si një përgjërim i thellë për përkatësi. Jo si një grup dhe grumbull detyrash shtëpie, por si një fat i bashkëndarë”, deklaroi ai.

Më tej, Rama nënvizoi se fushata për zgjedhjet e 11 majit u përqendrua tek fjalët: Europë, identitet, përkatësi – dhe ky identitet, sipas tij, fitoi shumicën.

“Fushata për zgjedhjet parlamentare të 11 majit u përqendrua te këto fjalë: Europë, identitet, përkatësi. Ai identitet fitoi mbi 52% të votave”, u shpreh Rama.

Duke iu drejtuar liderit britanik Keir Starmer, i pranishëm në samit, Rama shtoi: “Për mikun tim të dashur këtu, Starmer, ishte një rezultat shumë i ngjashëm me rezultatin e Brexit, por me pole të përmbysura. 52% për ne për t’u bashkuar. Aty ku nuk kishte krahasim ishte se 48% i mbetur i votuesve nuk janë euroskeptikë. Jo, janë thjesht euro-optimistë të painformuar, të cilët mendojnë që duhet të isha shkarkuar meqë nuk ja dola ta anëtarësoj Shqipërinë në BE shumë kohë më parë. Por në fakt nuk është ky argumenti im”, përfundoi Rama.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy