Ka nisur në Tiranë punimet Samiti i Komunitetit Politik Europian, me pjesëmarrjen e dhjetëra liderëve europianë, në një mbledhje që fokusohet te siguria, paqja dhe të ardhmen e përbashkët të Europës. Në qendër të diskutimeve mbetet lufta në Ukrainë, krizat globale dhe nevoja për veprim të përbashkët mes shteteve europiane dhe atyre jashtë BE-së.
Në fjalën e tij hapëse, kryeministri Edi Rama shpjegoi simbolikën e “shtëpisë” së ndërtuar enkas për samitin. s
“Për të gjithë vendin tim dhe popullin shqiptar që t’ju mirëpres në këtë vend dhe në këtë shtëpi të ndërtuar enkas për Komunitetin Politik Evropian, ku nuk jeni të rrethuar nga makthet e Evropës në pikturën e Rilindjes dhe as nga zbrazëtia e një takimi, por nga imagjinata e fëmijëve shqiptarë për Evropën”, u shpreh Rama.
Ai i dha rëndësi të veçantë zgjedhjeve të fundit të 11 majit në Shqipëri, duke i krahasuar me referendumin e Brexit, por me një rezultat të përmbysur.
“Kjo ishte zgjedhje e qartë për ne, se ëndrrat e fëmijëve nuk mbahen peng nga mitet e të shkuarës. Fushata u përqendrua te këto fjalë: Evropë, identitet, përkatësi – dhe fitoi me mbi 52% të votave. Për mikun tim të dashur këtu Kier, ishte një rezultat i ngjashëm me referendumin e Brexit, por me role të përmbysura: 52% për t’u bashkuar”, deklaroi ai.
Rama tha më tej se Europa ka një shans për t’u “rishpikur” në këtë kohë trazirash.“Kur Donald Trump tha se Zoti e shpëtoi nga plumbi se i Plotfuqishmi kishte një plan për amerikanët, tha vetëm gjysmën e të vërtetës. Gjysma tjetër është se Zoti ka një plan për Europën. Europa ka një mundësi prej Zotit për të rishpikur veten” u shpreh kryeministri shqiptar
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, kërkoi një Evropë më të bashkuar dhe më të mbrojtur, duke theksuar se “një paqe pa mbrojtje është iluzion”.
Nga ana tjetër, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se është momenti për të siguruar një armëpushim të qëndrueshëm në Ukrainë.
“Në këtë seancë më lë mbresë diçka e pashembullt – që ka një sidë të të gjitha formave të sigurisë së Europës dhe të mbledhurit përtej BE-së. Mbledhja me të gjithë krerët e shteteve dhe qeverive që përfaqësojnë këto vende na jep shansin e një komuniteti më të gjerë për t’u përballur me sfida së bashku, në unitet, duke pasur parasysh rrezikun e ndasisë që na kërcënon. Pikë së pari është lufta në Ukrainë, dhe Zelensky e di se sa shumë jemi krah tij”, tha Macron.
I pranishëm në Tiranë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky lëshoi një apel të fortë:
“Putin duhet të ndalë vrasjet.”
Samiti zhvillohet nën moton: “Evropa e re në një botë të re: Unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët”, dhe përfshin tre tryeza të rrumbullakëta që trajtojnë temat kryesore: siguria, konkurrenca ekonomike dhe fuqizimi i të rinjve