Prishtinë – 17 maj 2025: Në kuadër të Forumit Ekonomik të organizuar nga Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Prishtinë, drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK), Kushtrim Ahmeti, ka bërë një thirrje të fuqishme për diasporën shqiptare që të investojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke e cilësuar këtë si një moment historik për ndërtimin e një partneriteti të qëndrueshëm ekonomik.
Ahmeti thekson rëndësinë strategjike që diaspora ka pasur ndër vite për Kosovën, nga koha e para luftës, gjatë luftës dhe në procesin e rindërtimit të vendit. Ai vlerësoi lart kontributin e saj në mbështetjen financiare, politike dhe humanitare.
“Diaspora jonë ka qenë gjithmonë në zemër të zhvillimeve madhore për vendin tonë. […] Sot, është momenti historik që ky kontribut të kthehet në një bashkëpunim të qëndrueshëm ekonomik, për të ndihmuar Kosovën të rritet, të modernizohet dhe të jetë konkurruese në tregun global,” deklaroi Ahmeti.
Drejtori i DhTIK shtoi po ashtu se Kosova duhet të bëhet destinacioni kryesor për investimet nga diaspora, duke theksuar se nuk mund të pritet investim i huaj nëse nuk investojnë fillimisht vetë shqiptarët e diasporës.
“Ju jeni prova më e mirë se Kosova është një vend ku ia vlen të investohet,” tha Ahmeti. “Bizneset tona anëtare që marrin pjesë në këtë forum sjellin përvojë, sukses dhe gatishmëri për bashkëpunim konkret.”
Ai nënvizoi rëndësinë e ndërtimit të urave të forta ekonomike që kapërcejnë kufijtë gjeografikë, duke përmendur përfitimet nga rrjetet globale që diaspora shqiptare ka krijuar gjatë dekadave të fundit në vendet perëndimore.
Forumi ekonomik, ku DhTIK është partner kyç, ka mbledhur disa nga kompanitë më të njohura vendore dhe ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, përfshirë Evroenergie, Clear Line, Vala Consulting, BBF & Balkan Drinks, Egi Group, Toni Company, Sims, Dauti Comerc, Alb Architect dhe FMB Al Plast.
Kjo ngjarje është parë si një platformë e rëndësishme për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe hapjen e rrugëve të reja për investime strategjike që do të ndikojnë në zhvillimin afatgjatë të vendit.