Në një aksion të zhvilluar mbrëmë nga Njësia e Hetimeve të Antidrogës në rrugën “Astrit Rrushi” në Prishtinë, janë arrestuar dy persona: Faton Bislimi (26 vjeç) dhe Dardan Krasniqi (30 vjeç). Gjatë bastisjes, policia ka sekuestruar katër armë zjarri, dhjetëra fishekë dhe karikatorë.
Tek Bislimi u gjetën dy pistoleta të tipit “Glock” dhe “SigSauer”, 24 fishekë dhe dy karikatorë.
Tek Krasniqi, dy armë të tipit “Reximex”, një karikator dhe rreth 25 fishekë.
Faton Bislimi ishte në kërkim nga Policia për shkak të një urdhërese të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe është dërguar në burgun e Hajvalisë për vuajtje dënimi prej 50 ditësh. Ndërkohë, për Krasniqin është lëshuar aktvendim për ndalim nën dyshimin për mbajtje të paautorizuar të armëve.
Në cilësi të dëshmitarëve janë marrë edhe tre persona të tjerë të moshës 23-27 vjeç. Hetimet janë në vijim dhe autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e lidhjes së të dyshuarve me rrjete të shpërndarjes së narkotikëve në kryeqytet.