Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke e kritikuar publikisht për menaxhimin e dobët të kryeqytetit.
Përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, Hoxha shprehu zhgënjimin me mënyrën se si Rama po e udhëheq Prishtinën, duke theksuar se ai nuk e ka kuptuar ende rolin e tij si kryetar komune.
“Përparim Rama një gjë të thjeshtë nuk e ka kuptu në këto vite në qeverisje… Ai nuk është arkitekti i qytetit. Ai është kryetari prej të cilit pritet të menaxhoj qytetin, të mirëmbajë qytetin, të zhvilloj qytetin dhe t’i zgjidhë problemet e qytetit”, ka shkruar ajo.
Deputetja Hoxha, e cila vetë ka një sfond profesional në arkitekturë, kritikoi Ramën për qasjen që ai, sipas saj, ka ndaj Prishtinës – duke e trajtuar si një “fletë të bardhë” ku realizon ambiciet dhe ëndrrat e tij personale, ndërkohë që realiteti në terren është krejt tjetër.
“Qyteti i Prishtinës është vendi ku andrra e përpjekje të qytetarëve të Kosovës kanë shënuar historitë e sukseset edhe në kohët më të vështira. E ai, po i mbytë andrrat e qytetarëve në këtë qytet përditë”, ka shtuar Hoxha.
Në përfundim të postimit, ajo e akuzoi Ramën për degradim të hapësirës urbane dhe për njollosje të reputacionit të profesionit të arkitektit.
“E ke bo bërllog kryetar. BËRLLOG. Jo veç qytetin e Prishtinës por e ke njollosë edhe respektin për arkitektin”, përfundoi deputetja.
Ky reagim vjen në një kohë kur qeverisja lokale në Prishtinë po përballet me kritika të shumta nga qytetarët dhe opozita, veçanërisht për çështje që lidhen me pastërtinë, infrastrukturën dhe mungesën e projekteve konkrete në dobi të banorëve të kryeqytetit.