Engelbert Zefaj: Nesër Kosova duhet të ishte në Vatikan – atje ku fillon diplomacia e madhe

by engel

Nga: Dr. Engelbert Zefaj

Nesër, më 18 maj, Papa Leoni XIV do të nisë zyrtarisht misionin e tij pontifikal si kreu i 267-të i Kishës Katolike që nga Shën Pjetri. Një ngjarje historike me përmasa globale, që nuk ka vetëm rëndësi fetare, por mbi të gjitha diplomatike. Në këtë ceremoni madhështore në Vatikan priten liderë të shumtë shtetërorë, figura me ndikim nga të gjitha kontinentet, përfaqësues të diplomacisë ndërkombëtare dhe të komuniteteve fetare të ndryshme.

banner

Profesor Engelbert Zefaj, një zë i respektuar në opinionin publik dhe akademik, e ka quajtur këtë moment si “një shans të rrallë që Kosova nuk duhet ta humbasë”.

Sipas tij, prania e Presidentes së Kosovës në këtë ceremoni është më shumë se simbolike – është jetike për diplomacinë e një shteti që kërkon ende njohje të plotë ndërkombëtare dhe rehabilitim të imazhit të vet në sytë e botës.

Zefaj e sheh Kishën Katolike si një nga instrumentet më të fuqishme të diplomacisë globale, një realitet që u ilustrua edhe së fundmi me aktivitetin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marko Rubio. Ky i fundit, të shtunën, zhvilloi takime me personalitete të larta të Selisë së Shenjtë – me Kardinalin Pietro Parolin, njëri ndër emrat më të përfolur për papninë, si dhe me Kardinalin Matteo Zuppi, i njohur për angazhimet e tij të drejtpërdrejta në përpjekjet për paqe dhe ndërmjetësim në zona konfliktuoze si Ukraina dhe Serbia.

Pikërisht këto lëvizje paraqesin qartë një realitet të shpesh të anashkaluar në diskursin tonë publik: Vatikani është një qendër e fuqishme vendimmarrjeje diplomatike. Dhe kur diplomacia botërore takohet, shtetet që mungojnë humbin shumë më tepër se sa një vend në sallë – humbin mundësi, ndikim dhe kredibilitet.

Zefaj e shton me ton të qartë: “Kosova nuk ka qeveri për momentin, por ka Presidenten si autoritetin më të lartë institucional. Dhe është e domosdoshme që ajo të jetë e pranishme në këtë ceremoni. Është vendi i duhur për të takuar Papa Leonin XIV, për të zhvilluar kontakte me liderë të shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën, për të forcuar rrjetin diplomatik dhe për të rikthyer Kosovën në qendër të vëmendjes ndërkombëtare jo për krizën e brendshme, por për potencialin e saj për kontribut në paqe dhe stabilitet.”

Zefaj kujton fjalët e Atë Zef Pëllumbit: “Kosova duhet të ndërtojë çeta intelektualësh që e instalojnë mendësinë evropiane në shoqërinë tonë.” Dhe mendësia evropiane nis me përfshirjen – në tryeza të mëdha, në ngjarje ku përvijohen politikat e së nesërmes, në forume ku përcaktohen aleancat e reja dhe mundësitë e paqes.

Pjesëmarrja e Kosovës në ceremoninë e nisjes së Pontifikatit të Papa Leonit XIV nuk është vetëm çështje e respektit ndërfetar apo e prestigjit protokollar. Është një mision diplomatik që nuk guxon të neglizhohet. Dhe në një kohë kur bota është gjithnjë e më e polarizuar, kjo është një mundësi për Kosovën të qëndrojë në anën e duhur të historisë – pranë paqes, pranë dialogut, pranë Europës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy