Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe themelues i “Affinity Partners”, ka zbuluar arsyet pas vendimit për të investuar në një resort luksoz në ishullin e Sazanit, gjatë Samitit Ekonomik Ndërkombëtar “Future Investment Initiative Europe” në Tiranë.
Kushner tregoi se Shqipërinë e zbuloi rastësisht në verën e vitit 2021 gjatë një pushimi me familjen, pas përfundimit të mandatit të administratës Trump. Aty u mahnit nga bukuria natyrore, mikpritja dhe vizioni zhvillimor i Kryeministrit Edi Rama, të cilin e njohu për herë të parë gjatë atij udhëtimi.
“Shqipëria ishte një surprizë. Një vend i pazhvilluar, por me potencial të jashtëzakonshëm dhe bukuri të rrallë natyrore që nuk është vlerësuar sa duhet. Vizita në Vlorë dhe projekti i aeroportit aty na bindi që kishte mundësi reale për zhvillim,” – u shpreh Kushner.
Ai theksoi se vendimi për të investuar erdhi pas një viti vëzhgimi të tregut, ku ekipi i tij analizoi demografinë, besueshmërinë institucionale dhe kuadrin ligjor. Kushner vlerësoi qeverinë shqiptare për krijimin e një ambienti pro-zhvillimit dhe për ndihmën në ndërtimin e një klime të favorshme për investitorët.
Resorti në Sazan pritet të jetë një projekt i standardeve më të larta ndërkombëtare, duke ruajtur mjedisin dhe biodiversitetin unik të zonës. “Nëse nuk respektojmë ambientin, nuk ka kuptim të zhvillojmë aty. Kemi angazhuar ekspertët më të mirë europianë për ruajtjen e mjedisit,” tha ai.
Kushner shtoi se destinacioni po dizajnohet si një vend ku vetë ai dhe familja e tij do të dëshironin të kalonin pushimet verore. “Kur miqtë tanë e shohin projektin, thonë menjëherë: ‘Duam edhe ne një vend aty pranë’,” theksoi ai.
Ndërkohë, ai bëri të ditur se “Affinity Partners” po eksploron edhe investime të tjera në Europë dhe Lindjen e Mesme, duke përmendur suksese si në Gjermani dhe në platformën fintech “Revolut”.
“Ne besojmë se investimet janë një mënyrë për të ndihmuar vendet të zhvillohen ekonomikisht dhe për të sjellë njerëzit bashkë,” përfundoi Kushner.
Ky projekt pritet të jetë një ndër investimet më prestigjioze të huaja në fushën e turizmit në Shqipëri, duke e vendosur Sazanin dhe rivierën shqiptare në qendër të hartës globale të luksit dhe investimeve strategjike.