Kompjuteri i parë në botë që kombinon trurin e njeriut me silikonin tashmë është i disponueshëm

by informim peje

Një startup australian ka prezantuar kompjuterin e parë biologjik komercial në botë, i cili funksionon me qeliza të gjalla të trurit të njeriut.

Kompania Cortical Labs, me qendër në Melburn, prezantoi CL1 në Kongresin Botëror të Celularëve në Barcelonë këtë javë, duke e përshkruar atë si një “trup në kuti” me potencial për të revolucionarizuar inteligjencën artificiale (IA) dhe robotikën.

banner

Ky kompjuter përdor neurone të rritura në laborator, të vendosura mbi një çip silikoni, që mund të dërgojnë dhe të marrin impulse elektrike. Sistemi më pas lidhet me sistemin operativ biologjik (biOS) të Cortical Labs, përmes të cilit përdoruesit mund të programojnë neuronet për të kryer detyra kompjuterike.

Një sistem i brendshëm me pompa, gaz dhe kontroll të temperaturës i mban neuronet gjallë deri në gjashtë muaj.

“Një mënyrë e thjeshtë për ta përshkruar do të ishte si një trup në një kuti,” – tha Brett Kagan, drejtori shkencor i Cortical Labs për New Atlas.

Sipas kompanisë, ky sistem biologjik mëson dhe përshtatet më me efikasitet se kompjuterët tradicionalë dhe përdor shumë më pak energji.

Një version i mëparshëm i këtij kompjuteri, që përmbante 800,000 neurone njerëzore dhe të miut, mësoi vetë të luante lojën video Pong. Sipas një artikulli të botuar në revistën Cell, neuronet jo vetëm mësuan lojën, por edhe shfaqën një lloj ndjeshmërie brenda mjedisit të simuluar.

Cortical Labs thotë se ka vendosur masa mbrojtëse etike për të adresuar shqetësimet në lidhje me ndërgjegjen dhe ndjeshmërinë, megjithëse detajet janë ende të pakta. The Independent ka kontaktuar kompaninë për më shumë komente.

“Neuroni është vetë-programues, pafundësisht fleksibël dhe rezultat i katër miliardë vjet evolucion,” thuhet në faqen zyrtare të Cortical Labs.

Kompania shton se teknologjia e saj bashkon biologjinë me kompjuterikën për të krijuar “makinën përfundimtare të të mësuarit”, që ndryshe nga IA tradicionale, kërkon më pak energji dhe të dhëna për stërvitje.

Kompjuterët CL1 pritet të fillojnë dërgimin te klientët në qershor, me një çmim prej rreth 35,000 dollarë për njësi.

“Sot është përmbushja e një vizioni që ka frymëzuar Cortical Labs për gati gjashtë vjet,” tha Dr. Hon Weng Chong, themelues dhe CEO i kompanisë.

“Qëllimi ynë ka qenë ta bëjmë këtë teknologji të qasshme për studiuesit, pa pasur nevojë për pajisje apo softuer të specializuar. CL1 është realizimi i këtij qëllimi. Njoftimi i sotëm është vetëm fillimi – ndikimi i vërtetë do të vijë nga ata që do të ndërtojnë mbi këtë teknologji”. /Informim.net

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy