Në kuadër të forcimit të kapaciteteve profesionale dhe thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, Policia e Kosovës, përmes Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksploduese (NJTME), në bashkëpunim me njësinë e KFOR-it amerikan (US EOD), kanë zhvilluar një trajnim të përbashkët në Bazën e Njësive Speciale në “Vrellë”.
🔍 Temat e trajnuara përfshinë:
Ndërhyrja në pakot e dyshuara për bombë
Hapja e automjeteve të dyshuara për mjete shpërthyese
Qëllimi i këtij trajnimi ishte rritja e kapaciteteve teknike dhe operacionale të njësive policore për identifikimin dhe çaktivizimin e mjeteve të improvizuara shpërthyese (IED), si dhe përmirësimi i reagimit të koordinuar ndaj situatave emergjente që paraqesin rrezik për sigurinë publike.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës theksohet se:
“Ky bashkëpunim operacional ndihmon në forcimin e aftësive të përbashkëta, shkëmbimin e përvojave praktike dhe ngritjen e gatishmërisë për përballje me sfida të përbashkëta në fushën e sigurisë publike.”
Këto trajnime janë pjesë e një strategjie më të gjerë të Policisë së Kosovës për të forcuar reaksionin dhe ndërhyrjen në raste të kërcënimeve me eksploziv, duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe duke rritur sigurinë për qytetarët.